Vendosni fjalën kyçe....

Kompania e Mira Muratit lidh marrëveshje miliarda dollarëshe për çipe me Nvidia-n – Financial Times


Laboratori Thinking Machines i Mira Muratit ka arritur një marrëveshje për furnizim me çipe me Nvidia-n me vlerë dhjetëra miliarda dollarë, ndërsa ish-drejtorja teknologjike e OpenAI përshpejton përpjekjet e saj për të ndërtuar mjete të Inteligjencës Artificiale për bizneset.

Start-up-i me bazë në San Francisko njoftoi të martën se do vendosë në përdorim të paktën një gigavat të çipeve të brezit të ardhshëm të Nvidia-s, Vera Rubin, në një partneritet shumëvjeçar me gjigantin amerikan të çipeve.

Marrëveshja përfshin gjithashtu një investim të mëtejshëm “të rëndësishëm” nga Nvidia, e cila më parë mori pjesë në raundin fillestar prej 2 miliardë dollarësh të Thinking Machines, që e vlerësoi kompaninë në 10 miliardë dollarë vitin e kaluar. Kompanitë kundërshtuan të japin hollësi mbi investimin e ri.

Marrëveshja e re e Thinking Machines është e fundit në një seri investimesh nga Nvidia te disa prej klientëve dhe konsumatorëve më të mëdhenj të çipeve të saj të IA.

Marrëveshje të tilla financimi me vetë klientët e Nvidia-s kanë nxitur shqetësime për financim qarkullues në industri, ndërsa gjiganti i gjysmëpërçuesve me vlerë 4.4 trilionë dollarë shpërndan rezervat e tij masive të kapitalit në ekosistemin e tij të klientëve.

“Teknologjia e Nvidia-s është themeli mbi të cilin është ndërtuar e gjithë fusha,” tha Murati.

“Ky partneritet përshpejton kapacitetin tonë për të ndërtuar IA që njerëzit mund ta formësojnë dhe ta bëjnë të tyren, ndërsa ajo formëson potencialin njerëzor në këmbim.”

E themeluar nga Murati një vit më parë, produkti kryesor i Thinking Machines, Tinker, u lejon ndërmarrjeve të bëjnë rregullime të holla dhe të personalizojnë modelet e mëdha gjuhësore për aplikacionet e tyre specifike të biznesit, pa pasur nevojë të ndërtojnë dhe menaxhojnë infrastrukturat komplekse të trajnimit të IA.

Drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, tha se ishte “i emocionuar për partneritetin” me Thinking Machines për ta ndihmuar atë “të realizojë vizionin e saj emocionues për të ardhmen e IA”.

Faza e parë e marrëveshjes shumëvjeçare synohet për fillimin e vitit të ardhshëm. Huang ka deklaruar më parë se një gigavat kapacitet i qendrës së të dhënave të IA kushton rreth 50 deri në 60 miliardë dollarë, ku produktet e Nvidia-s zënë rreth 35 miliardë dollarë të asaj kostoje.

Një “partneritet strategjik” shumëvjeçar prej 100 miliardë dollarësh me OpenAI, i njoftuar në shtator, u braktis së fundmi në favor të një investimi kapital prej 30 miliardë dollarësh nga Nvidia. Huang tha javën e kaluar se kjo marrëveshje “mund të jetë hera e fundit” që Nvidia investon në OpenAI përpara një IPO-je të mundshme më vonë këtë vit.

Si ekzekutive e OpenAI, Murati punoi në zhvillimin e produkteve të tilla si ChatGPT, gjeneruesi i imazheve Dall-E dhe modaliteti i tij zanor. Ajo zëvendësoi për pak kohë Sam Altman-in si drejtore ekzekutive e përkohshme gjatë një “grushti shteti” të bordit në nëntor 2023.

Marrëveshja me Nvidia-n vjen pas trazirave brenda Thinking Machines. Gjatë muajve të fundit, start-up-i njëvjeçar ka parë largimin e tre bashkëthemeluesve dhe studiuesve të tjerë nga kompania.

Andrew Tulloch, një anëtar i stafit teknik që ka punuar gjithashtu në OpenAI, iu bashkua Meta-s në tetor të vitit të kaluar, ndërsa Barret Zoph, drejtor teknologjik, dhe Luke Metz, anëtar i stafit teknik, iu ribashkuan OpenAI-t në janar.

Thinking Machines do punojë me Nvidia-n për të “projektuar sisteme trajnimi dhe shërbimi për arkitekturat e Nvidia-s dhe për të zgjeruar qasjen në IA të kufirit dhe modelet e hapura për ndërmarrjet, institucionet kërkimore dhe komunitetin shkencor,” shtoi kompania.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani