
Ura e re mbi lumin Mat, e ndërtuar në rrugën nacionale Lezhë–Milot dhe që lidh kryeqytetin me Veriun e vendit, po përballet me dëmtime serioze si pasojë e shfrytëzimit të paqëndrueshëm të lumit për nxjerrjen e inerteve. Ekspertë dhe aktivistë paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, ura mund të pësojë fatin e dy urave të tjera të dëmtuara rëndë në zonë.
Aktualisht, ura e Matit është e vetmja lidhje funksionale që bashkon Milotin me Lezhën dhe Shkodrën, duke shërbyer gjithashtu si korridor drejt kufirit me Malin e Zi. Aktivistja Elsa Sula thekson se shfrytëzimi pa kriter i lumit ka prishur balancat natyrore të shtratit dhe ka shkaktuar erozion pranë këmbëve mbajtëse të urës.
“Ka kompani të licensuara dhe të palicensuara që marrin inerte. Kjo ka sjellë dëmtim të këmbëve të urës. Nëse s’merren masa, ura do të ketë fatin e dy urave të tjera që aktualisht janë të mbyllura për qarkullimin,” tha Sula.
Eksperti i mjedisit, Jak Gjini, nënvizoi se ndërhyrjet e pakontrolluara në shtratin e lumit kanë pasoja të rënda dhe kërkohet ndërhyrje urgjente nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. “Së pari duhet të merren masa për shkaktarët. Të kontrollohet sasia e inerteve që merren në lumë dhe më pas të vendosen pritave lumore,” shtoi ai.
Ura mbi lumin Mat ka një gjatësi rreth 300 metra dhe është ndërtuar në vitin 2002 me mbështetjen e qeverisë italiane. Që prej ndërtimit të saj nuk janë kryer ndërhyrje të rëndësishme për mbrojtjen nga erozioni apo forcimin e këmbëve mbajtëse, ndërsa shfrytëzimi i lumit për inerte ka vijuar për vite me radhë.
Sipas burimeve, në shtratin e lumit Mat operojnë rreth 40 kompani që nxjerrin inerte, shumë prej tyre pa leje të rregullta, ndërsa në brigjet e lumit janë vërejtur grumbuj të mëdhenj inertesh. Ekspertët kërkojnë kontrolle nga IKMT-ja dhe ndërhyrje të shpejtë nga ARRSH-ja për riparimin e urës dhe parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme.