
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dalë në mbështetje të vendimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit, duke vlerësuar se ai është në përputhje me Kushtetutën, pasi deputetët nuk arritën të zgjedhin presidentin e ri brenda afatit të përcaktuar ligjor.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, u shpreh se Kushtetuta përcakton qartë se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Ai shtoi se interpretimi i shumicës parlamentare për një afat 60-ditor nuk e ndryshon këtë dispozitë.
“Neni 82, paragrafi 1, përcakton se procedura për zgjedhjen e presidentit mund të zgjasë deri në 60 ditë, por ky nen nuk e anulon dhe as nuk e tejkalon afatin 30-ditor të përcaktuar në nenin 86”, tha Gruda gjatë një konference për media.
Presidentja Osmani, një ditë më parë, kishte deklaruar se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, 30 ditë para përfundimit të mandatit të saj më 4 prill, dhe nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit, duke nisur procesin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë kundërshtuar interpretimin e PDK-së dhe dekretin e Osmanit, duke argumentuar se afati 30-ditor i Kushtetutës lidhet me nisjen e procedurës dhe jo përfundimin e saj.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja për shkak se shumica parlamentare nuk ka kërkuar një marrëveshje politike për postin e presidentit dhe akuzoi Vetëvendosjen për synim kontrolli të plotë mbi institucionet e vendit.
Kosova ka mbajtur dy palë zgjedhje parlamentare vitin e kaluar, ku fituese ishte Vetëvendosje. Megjithatë, për të zgjedhur presidentin kërkohet mbështetja e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit me 120 karrige, ku kuorumi arrihet me 80 vota. Nëse kandidatët nuk arrijnë këtë shumicë në dy rundet e para, në raundin e tretë mjafton 61 vota.