Seanca plenare e ditës së djeshme u shoqërua me përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ku gjatë orëve të pasdites debatet u përshkallëzuan ndjeshëm, pas një deklarate të Taulant Ballës ndaj Albana Vokshit të cilës i tha ‘për ty kam numrin 0900’.
Ndërkohë ditën e sotme, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve të PD-së, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.
Socialistët argumentojnë përmes kërkesës zyrtare se gjatë seancës plenare të 5 marsit 2026, dy deputetët demokratë kanë penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit, duke përdorur gjuhtë të papërshtatshme dhe duke bllokuar foltoren e Kuvendit.
Kështu që, bazuar në këto pretendime dhe në pamjet filmike të seancës, PS ka kërkuar:
-Përjashtimin e Gazment Bardhit nga komisionet dhe seancat plenare për 10 ditë, për pengim të zhvillimit të seancës dhe përdorim të gjuhës fyese;
-Përjashtimin e Klevis Balliut për 30 ditë, duke argumentuar se ai ka shfaqur sjellje agresive dhe ka dëmtuar pajisjet e sallës së Kuvendit;
Kujtojmë se gjatë paradites së sotme, PD ka kërkuar përjashtimin e kreut të Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Ballës, me 60 ditë nga Kuvendi.
