
Është arrestuar autori i plagosjes së ndodhur në Shkodër. Në pranga ka rënë 39-vjeçari Izvin Gucija, i cili u kap nga policia në afërsi të banesës së tij, pak minuta pas ngjarjes.
Sipas policisë, ai dyshohet se qëlloi me armë zjarri ndaj shtetasit Genc Hoxha, 45 vjeç, duke e plagosur në këmbë. I dëmtuari është transportuar për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet paraprake rezulton se konflikti mes dy personave ka nisur për shkak të një mosmarrëveshjeje lidhur me një automjet. Sipas burimeve, 45-vjeçari, i cili njihej me autorin, kishte çuar makinën e tij për riparim në servisin e Gucisë, pranë urës Dervishbeg, disa kohë më parë.
Burimet bëjnë me dije se Hoxha nuk ka qenë i kënaqur me shërbimin dhe disa ditë më parë kishte shkuar në servis, ku dyshohet se e kishte fyer autorin, i cili nuk kishte reaguar pasi ishte agjërueshëm.
Gjatë ditës së djeshme, 45-vjeçari ka shkuar sërish pranë servisit dhe gjatë një debati mes tyre ka ndodhur edhe plagosja.
Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur një gëzhojë, që dyshohet se i përket armës së përdorur nga autori. Po ashtu është sekuestruar edhe arma e zjarrit pistoletë, me të cilën dyshohet se u krye plagosja.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.