
Për Omar García Harfuch, operacioni që çoi në vrasjen e baronit të drogës Nemesio Oseguera Cervantes kishte edhe një dimension thellësisht personal.
Harfuch, 44 vjeç, jeton prej vitesh nën masa të jashtëzakonshme sigurie. Ai qëndron kryesisht brenda ndërtesave të fortifikuara dhe ka edhe një apartament të vogël të ndërtuar brenda kompleksit të ministrisë së sigurisë në Mexico City. Apartamenti përfshin një dhomë gjumi, palestër, kuzhinë dhe një sallë konferencash me rreth 25 vende. Në tavolinën e tij ndodhet edhe një telefon i kuq që i jep lidhje direkte me presidenten Claudia Sheinbaum.
Ky stil jete filloi në vitin 2020, pasi Harfuch u bë objekt i një atentati të madh. Gjatë rrugës për në punë, një kamion i bllokoi rrugën automjetit të tij të blinduar dhe persona të armatosur – të maskuar si punëtorë rrugësh – qëlluan mbi makinën me më shumë se 400 plumba. Harfuch mbijetoi me tre plagë plumbi, por dy truprojat e tij dhe një kalimtare u vranë.
Ai fajësoi për këtë sulm liderin e kartelit Jalisco New Generation Cartel, të drejtuar nga Oseguera, i njohur si “El Mencho”. Për këtë arsye, eliminimi i tij pas disa vitesh u konsiderua nga shumëkush si një moment personal për Harfuch-in, i cili sipas miqve të tij ishte shumë i prekur nga humbja e truprojave në atentat.
Megjithatë, vdekja e El Mencho-s nuk ka ulur rrezikun. Përkundrazi, ajo ka shkaktuar një valë të re dhune në Mexico, ku janë vrarë edhe 25 anëtarë të Gardës Kombëtare. Analistët paralajmërojnë se fraksionet rivale të kartelit mund të përplasen për kontrollin e organizatës.
Në planin politik, kjo ngjarje ka rritur shumë profilin publik të Harfuch-it. Ai konsiderohet arkitekti i strategjisë më të ashpër të qeverisë kundër karteleve, një qasje që ndryshon nga politika e ish-presidentit Andrés Manuel López Obrador, i cili promovonte filozofinë “përqafime, jo plumba”.
Sipas analistëve të sigurisë, suksesi kundër El Mencho-s e ka bërë Harfuch-in një figurë të rëndësishme në politikën meksikane dhe madje një kandidat potencial për presidencën kur mandati i Sheinbaum të përfundojë në vitin 2030.