Kryeministri Edi Rama promovoi në një mbrëmje iftari me intelektualë, artistë dhe figura të njohur, librin e tij të ri “Në Sofrën e Hënës”.
Libri përmban fjalime të kryeministrit të thëna gjatë mbrëmjeve të ndryshmeve të iftarit të organizuara prej tij ndër vite.
Në fjalën e tij gjatë promovimit, Rama u ndal edhe te perceptimi pa paragjykime i fesë së islamit, pasi paragjykimet sipas tij krijojnë probleme.
“Libri është një përmbledhje e mbrëmjeve të iftarit, që kam pasur kënaqësinë dhe privilegjin t’i organizoj, në funksionin që kam, duke çelur një traditë, sa i përket funksionit tim, që shkon përtej atyre që agjërojnë. Sofra e Iftarit është përtej agjëruesve. Ka qenë shtysa e disa miqve myslimanë që asgjërojnë, që të përmblidhja këto fjalë në këtë libër. Unë doja që prezantimin ta bënim në mënyrë modeste. Sofra e Iftarit na bën bashkë përtej vijave që na ndajnë në bulevard. Ka qenë shtysa e miqve myslimanë, që më ka nxitur që të hyj më thellë në kulturën e islamit. Ka një thesar kulturash që vijnë tek ne nga feja, që duhet të kenë adhurimin tonë. Nga detyra kam njohur profesorë të nderuar të fesë islame. Parathënien e ka shkruar ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe”,- tha Rama.
Ndërkohë që pranë tij ishte dhe profesori i Universitetit të Tybingenit, Besnik Sinani, me të cilin po bashkëpunohet për muzeun e Islamit, të “Sarajet” e Toptanëve pranë qendrës së Tiranës.
