Vendosni fjalën kyçe....

Dëmtohet sërish aksi Maliq–Lozhan–Strelcë pas fluksit të lartë të mjeteve



Rruga Maliq–Lozhan–Strelcë, e cila për më shumë se 10 ditë u përdor si alternativë nga drejtuesit e mjeteve për të kaluar drejt Gramshit pas bllokimit të aksit Librazhd–Prrenjas, ka pësuar dëmtime të reja.

Qarkullimi i vazhdueshëm dhe rritja e ndjeshme e fluksit gjatë kësaj periudhe duket se kanë rënduar gjendjen e segmentit rrugor. Në disa pjesë të tij janë evidentuar rrëshqitje dherash, dëmtime të barrierave mbrojtëse, si dhe çarje të thella në asfalt e deformime të trupit të rrugës.

Edhe pse pas rihapjes së aksit kryesor lëvizja e mjeteve është rralluar, problematikat në terren mbeten shqetësuese. Deri tani nuk është ndërhyrë për riparimin e dëmeve, ndërsa ekspertët theksojnë se nevojitet ndërhyrje e menjëhershme për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.

Aksi Maliq–Lozhan–Strelcë është ndërtuar nga kompania Gjikuria, ndërsa investimi për realizimin e tij ka kapur vlerën e rreth 1.4 miliardë lekëve. Problemet e përsëritura në këtë rrugë kanë ngritur shpesh pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të investimit.