
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, u përfshi në një debat të ashpër në Kuvend me deputetët e shumicës socialiste, lidhur me situatën në fshatin Rrjoll të Velipojë, ku banorët kanë protestuar kundër ndërtimit të një resorti turistik nga biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj.
Në fjalën e tij nga foltorja, Shehaj deklaroi se banorët e zonës po përballen me presion dhe po u cenohet prona, duke akuzuar drejtpërdrejt Ulajn si përgjegjës për situatën. Ai shtoi se emri i biznesmenit ishte përmendur në përgjimet që lidhen me ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku.
Tensionet u përshkallëzuan pasi mikrofonit të Shehajt iu ndërpre fjala, moment pas të cilit ai u përplas verbalisht me deputetët socialistë në sallë. Situata çoi në përjashtimin e tij nga seanca plenare dhe në ndërprerjen e përkohshme të punimeve të Kuvendit.
Krahas kritikave ndaj mazhorancës, Shehaj adresoi edhe deputetët e opozitës, përfshirë kolegët e tij në Partinë Demokratike dhe përfaqësues të forcave të tjera opozitare, duke i akuzuar se nuk kanë reaguar mjaftueshëm ndaj asaj që ai e cilëson si “grabitje pronash” në Rrjoll.
“Askush nuk foli këtu me një çështje që ka prekur pjesën më të madhe të shqiptarëve. Kjo ka ndodhur falë pushtetarëve të korruptuar. Kjo këtu është një pamje që tregon sesi dhunohet një qytetar shqiptar. Ndërkohë që Taulanti zgërdhihet. Taulant e ke parë këtë grushtin Taulant? Ky djali që rrahin me grushta është një 19 vjeçar që mbron pronën e vet, ku ka lindur, jetuar e është rritur, ndërkohë që ju ja keni vjedhur. 150 hektarë i keni marrë gjithë fshatit. Ja ka marrë ish-drejtori i Hipotekës Taulant. Pasi keni vjedhur pronën, tani po i dhunoni. Ja ka marrë me atë që Belinda Balluku përmendte në përgjim dhe thoshte ‘i kemi bërë nderin e jetës, i kemi dhënë rrugën Thumanë-Kashar 1.3 miliardë euro. T’ju vijë turp, ka qytetarë që dhunohen nga Policia e Shtetit dhe Policia private”, tha Shehaj.