Deputeti i Partisë Socialiste ka ngritur në Kuvend 2 shqetësime, një për një aks rrugor në Selitë, i cili sipas tij po vonohet për shkak se OST po kryen një tjetër vepër në atë zonë.
Sipas Braçes, 2 kompanitë nënkontraktore të OST-së që po punonin për ndërtimin e linjës ajrore me qart të dyfishtë Tirana 2-Rrashbull dhe Unazën 110 kë të Tiranës, kanë lënë punën që në janar.
Kjo ka bërë që sipas Braçes vepra të mos përfundojë brenda fillimit të marsit siç ishte parashikuar, çka ndikon edhe te vonesa e ndërtimit të rrugës.
Braçe i bëri thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës që të merrte masa për situatën në fjalë.
“Shqetësimi im ka të bëjë me një zonë të Tiranës, Njësia 5, Selita, e cila ka një aks të qartë qëndror që fillon në Unazën e madhe të Tiranës, e përshkon mes për mes dhe del në anën tjetër. Shqetësimi lidhet me një rrugë që ka 2 vite që ka nisur dhe që duhet të përfundonte. Në fakt është mirë që rruga nuk ka përfunduar dhe në këtë pikë mirë është bërë, sepse OST ka në plan të ndërtojë linjën ajrore me qark të dyfishtë Tirana 2-Rrashbull dhe Unazën 110 kë të Tiranës. Segmenti është loti 2 që ka të bëjë me linjën ajrore dhe seksionet e kabllove nëntokësore. Kontrata është lidhur dhe afati për mbarimin e kësaj linje është nga 9 dhjetori 2025 deri në 9 mars 2026. Ajo që mua më shqetëson është që 2 kompani nënkontraktore të OST kanë lënë punën që në janar. Ndërkohë që kanë ngelur edhe 7 ditë nga sot, nuk ka shans që vepra të përfundojë. Kjo ndikon edhe te mos-përfundimi i rrugës pranë Selitës. Do doja shumë që ministria përgjegjëse për Energjinë dhe Infrastrukturën të kërkonte zbatimin e kontratës me ngulm, që të mos vonohet ndërtimi i linjës dhe shtrimi i kabllove nëntokësore nga nënstacioni deri sipër në kondrën e diellit dhe punimet për rrugën. Shqetësimi është shumë i madh pasi krah rrugës është shkolla ‘Murat Toptan’. Të gjithë fëmijët e Selitës shkojnë në këtë shkollë dhe nuk e kanë gëzuar ndërtimin e kësaj shkolle sepse kalojnë në baltë”, tha Braçe.
Ndërkohë një shqetësim tjetër Braçe e kishte edhe për pensionistët, një pjesë e të cilëve sipas tij, nuk kanë arritur ta përfitojnë kompensimin e të ardhurave.
Braçe tha se mes pensistëve ka nga ata që nuk kanë përfituar pension të plotë, për fare pak ditë apo javë pune. Sipas Braçes, ministria përkatëse duhet të japë një zgjidhje për këtë situatë.
“Ka një grup pensionistësh që nuk e kanë përfituar kompensimin e të ardhurave dhe brenda këtij grupi është një grup tjetër që për fare pak ditë apo muaj pune nuk e kanë përfituar pensionin e plotë të pleqërisë. Do të doja t’i kërkoja ministrisë përkatëse që të gjejë një zgjidhje për këtë kategori pensionistësh që nuk kanë përfituar nga skema e kompensimit të të ardhurave për fare pak gjë. Do të ishte mirë që edhe kjo kategori pensionistësh të përfitonin nga vendimi i qeverisë”, vijoi më tej Braçe.
