Vendosni fjalën kyçe....

Procedohet deputeti Klevis Balliu pas protestës së 28 shkurtit nga PD-ja



Policia e Tiranës ka njoftuar zyrtarisht arrestimin e katër shtetasve që morën pjesë në protestën e organizuar më 28.02.2026, në orën 18:00, nga Partia Demokratike e Shqipërisë, ndërsa është proceduar edhe deputeti Klevis Balliu.

Sipas njoftimit, janë arrestuar shtetasit Leonardo Marku, 20 vjeç, Robespier Dervishaj, 33 vjeç, Doris Rista, 21 vjeç dhe Sergei Rapo, 36 vjeç, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se gjatë protestës ata kanë ushtruar akte të dhunshme, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe kanë hedhur lëndë piroteknike dhe molotov në drejtim të forcave të rendit dhe të Vilës 31, në momentin kur brenda saj ndodheshin persona, përfshirë shtetas të huaj. Si pasojë, sipas policisë, janë shkaktuar dëmtime në godinë si dhe janë dëmtuar 32 kosha mbeturinash të vendosur nga Bashkia Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar molotovë dhe lëndë piroteknike, të cilat janë dërguar për ekspertim kriminalistik.

Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë një i mitur 16 vjeç, pasi iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.

Autoritetet bëjnë me dije se materialet janë referuar në Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për deputetin Klevis Balliu, për shkelje të ligjit nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” si dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Policia njofton se janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.