Vendosni fjalën kyçe....

Sulmet e SHBA dhe Izraelit në Iran, Rama: Garda Revolucionare Islamike është një organizatë terroriste, të ndërpriten justifikimet


Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, duke deklaruar se Shqipëria do ta përfshijë Gardën Revolucionare Islamike të Iranit në listën e organizatave terroriste.

Në një deklaratë të fortë publike, Rama tha se ka ardhur koha që kjo strukturë të trajtohet hapur si organizatë terroriste, jo vetëm përmes sanksioneve, por edhe përmes klasifikimit zyrtar ndërkombëtar, ashtu siç kanë bërë tashmë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.

Kryeministri theksoi se qëndrimi i Shqipërisë nuk lidhet vetëm me mbështetjen ndaj Izraelit dhe vendeve arabe që kërkojnë paqe, por edhe me përvojën direkte të vendit me regjimin iranian përmes sulmeve kibernetike.

“Është koha të ndërpriten justifikimet dhe të shkohet drejtpërdrejt te thelbi. Garda Revolucionare Islamike është një organizatë terroriste dhe duhet trajtuar si e tillë. Jo vetëm përmes sanksioneve ndaj Republikës Khomeiniste, por duke e quajtur zyrtarisht me emrin e saj të vërtetë dhe duke e përfshirë në listën e organizatave terroriste, ashtu siç kanë bërë tashmë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.

Jo vetëm sepse qëndrojmë fort në krah të Izrael dhe të vendeve arabe vëllazërore që kërkojnë paqe. Jo vetëm sepse mbështesim Shtetet e Bashkuara në mbështetjen ushtarake për Izraelin sot, nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump. Jo vetëm sepse Bashkimi Evropian, përmes Presidentes Ursula von der Leyen, ka nënvizuar edhe një herë sot natyrën vrasëse të regjimit të Teheranit.

Por mbi të gjitha, në një ditë si kjo, kur kërkohen veprime dhe jo vetëm fjalë, për të nderuar viktimat e pafundme dhe të pafajshme të Gardës Revolucionare Islamike.

Shqipëria është përballur drejtpërdrejt me fytyrën barbare të regjimit të Teheranit përmes sulmeve kibernetike kundër vendit tonë. Për ne, kjo nuk është gjeopolitikë abstrakte. Është çështje e sigurisë kombëtare, e qartësisë morale dhe ligjore.

Shqipëria do të veprojë në përputhje me këtë qëndrim. Ne do ta quajmë Gardën Revolucionare atë që është dhe do ta përfshijmë në listën e organizatave terroriste, dhe u bëjmë thirrje miqve tanë evropianë të bëjnë të njëjtën gjë.

Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje vendimtare për të parandaluar njëherë e përgjithmonë vrasësit në Teheran që të sigurojnë kapacitete bërthamore apo çfarëdo aftësie tjetër ushtarake për të dëmtuar Izraelin ose çdo komb tjetër që do paqen në Lindjen e Mesme.

Terrorizmi duhet të emërtohet. Dhe pasi të emërtohet, duhet të ndalet.”