Talibanët e Afganistanit janë shprehur të gatshëm për negociata pasi Pakistan bombardoi objektiva në Kabul dhe Kandahar, në përplasjet më të rënda mes dy vendeve që prej rikthimit të tyre në pushtet në vitin 2021.
Sipas raportimit të Reuters, sulmet ajrore dhe tokësore të Pakistanit shënjuan herën e parë që Islamabadi godet drejtpërdrejt ish-aleatët e tij, duke i akuzuar se strehojnë militantë përgjegjës për sulme në territorin pakistanez.
Ministri pakistanez i Mbrojtjes, Khawaja Muhammad Asif, e cilësoi situatën si “luftë e hapur”.
Objektivat në Kabul dhe Kandahar, qytet ku janë të vendosur liderët talebanë, u goditën nga raketa ajër-tokë, sipas burimeve të sigurisë në Pakistan.
Dëshmitarë në kryeqytetin afgan raportuan shpërthime të fuqishme, re të dendura tymi dhe panik mes banorëve. Një shofer taksie në Kabul tha se dy bomba u hodhën gjatë natës, duke shkaktuar shpërthime të vazhdueshme nga një depo municionesh.
Talibanët deklaruan se forcat afgane kishin përdorur dronë për të goditur objektiva ushtarake pakistaneze, ndërsa Islamabadi tha se të gjithë dronët u rrëzuan pa shkaktuar dëme.
Të dyja palët raportuan humbje të konsiderueshme, por me shifra kontradiktore. Pakistani pretendon se ka vrarë 274 zyrtarë dhe militantë talebanë, ndërsa Afganistani thotë se ka vrarë 55 ushtarë pakistanezë.
Reuters thekson se këto shifra nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Pakistani konfirmoi 12 ushtarë të vrarë, ndërsa pala afgane tha se humbi 13 luftëtarë talebanë.
Ministria e Jashtme afgane bëri të ditur se ministri i Jashtëm, Amir Khan Muttaqi, në një bisedë telefonike me ministrin e Shtetit për Punët e Jashtme të Qatar, Mohammed bin Abdulaziz Al-Khalifi, deklaroi se Afganistani “nuk ka qenë kurrë mbështetës i dhunës” dhe preferon zgjidhjen e çështjeve përmes mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë.
Megjithatë, ai theksoi se kjo qasje do të jetë efektive vetëm nëse pala tjetër tregon vullnet të sinqertë për zgjidhje.
Katari, i cili vitin e kaluar ndihmoi në ndërmjetësimin e armëpushimit mes dy vendeve, po punon sërish me vende të tjera për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës.
Përplasjet tokësore janë raportuar përgjatë kufirit 2,600 kilometra mes dy vendeve, duke ngritur frikën për një konflikt të zgjatur.
Pakistani, një fuqi bërthamore me kapacitete ushtarake shumë më të mëdha se Afganistani, ka paralajmëruar për një “përgjigje të matur, vendimtare dhe të përshtatshme” ndaj çdo provokimi të ri.
Në Kabul, sirenat e ambulancave dhe zhurma e avionëve luftarakë u dëgjuan për orë të tëra pas shpërthimeve. Zëdhënësi taleban, Zabihullah Mujahid, tha se sulmet ajrore pakistaneze goditën gjithashtu provincat Paktia, Paktika, Khost dhe Laghman, duke shtuar se në sulmet e së premtes pati viktima civile, pa dhënë shifra të sakta.
Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar pas sulmeve ajrore të Pakistanit më herët gjatë javës, të cilat, sipas Islamabadit, kishin në shënjestër kampe të talebanëve pakistanezë dhe militantëve të Shtetit Islamik në lindje të Afganistanit. Kabuli dhe Kombet e Bashkuara thanë se nga ato sulme u vranë 13 civilë, ndërsa talebanët paralajmëruan për një reagim të ashpër.
Autoritetet në provincën Punjab të Pakistanit njoftuan se janë në gatishmëri të lartë për sulme të mundshme militante dhe kanë ndërmarrë operacione sigurie, duke ndaluar 90 shtetas afganë për t’i deportuar.
