Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Tërpanit bllokojnë rrugën Tërpan–Përmet: Nuk hyjmë dot në shtëpi e në ullishte



Banorët e fshatit Tërpan, në bashkinë Poliçan, kanë dalë sot në protestë duke bllokuar për rreth një orë rrugën nacionale Tërpan–Përmet. Ata kërkojnë zgjidhje për problematikat e krijuara, sipas tyre, nga punimet në aksin Tërpan–Ballaban–Përmet.

Sipas banorëve, ndërtimi i rrugës u ka bllokuar hyrjen e fshatit, duke e ngushtuar ndjeshëm segmentin ekzistues. Ata shprehen se kanë vështirësi për të hyrë në banesat e tyre dhe në plantacionet me ullinj, ndërsa pretendojnë se janë bllokuar edhe kanalet kulluese, duke shkaktuar vërshimin e ujërave në zonë.

Banorët theksojnë se, ndonëse punimet ende nuk kanë përfunduar, problematikat janë të shumta dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për hapjen dhe sistemimin e rrugës hyrëse, në mënyrë që të mund të lëvizin lirshëm me automjete dhe mjete bujqësore drejt tokave të tyre.

Administratori i Njësisë Administrative Tërpan, Fatmir Çela, ka pohuar se shqetësimet e ngritura nga banorët janë të drejta. Sipas tij, prej disa ditësh punimet e firmës ndërtuese kanë bllokuar dhe ngushtuar rrugën dytësore të hyrjes në fshat.

Çela bëri të ditur se çështja i është përcjellë Bashkia Poliçan, nga e cila është konfirmuar se do të ketë ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e situatës. Ai shtoi se bashkia do të marrë masa për sistemimin e rrugës së fshatit, ndërsa problematikat e shkaktuara nga gurët e rënë gjatë punimeve mbeten në kompetencë të firmës përkatëse të ndërtimit.