
Kreu i Grupit Parlamentar të Partia Demokratike, Gazment Bardhi, ka komentuar ndryshimet e fundit në qeveri. Ai bëri publike disa hollësi nga dosja e SPAK për zv.kryeministren e shkarkaur Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.
Bardhi ngriti dyshime mbi emërimet e reja në qeveri, duke deklaruar se disa prej zyrtarëve të emëruar rezultojnë nën hetim nga SPAK.
“Po t’i kërkosh gjysmat e këtyre që ka emëruar sot, janë edhe ata nën hetim nga SPAK. Pse e ka bërë Rama këtë? E parashikuan prokurorët,” u shpreh Bardhi.
Sipas tij, prokurorët e SPAK, në përgjigje të deputetëve të Partia Socialiste që kishin kundërshtuar rëndimin e masave ndaj Ballukut në mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve, kanë argumentuar se ajo kishte emëruar shumicën e drejtuesve të lartë të administratës publike.
Për këtë arsye, sipas Bardhit, prokurorët thanë se largimi i Ballukut nga detyra nuk do të shmangte rrezikun e prishjes së provave apo intimidimit të dëshmitarëve.
“Prokurorët kanë thënë se zonja Balluku ka emëruar drejtuesit në institucionet ku po hetohet dhe për këtë arsye kërkohet arrest, në mënyrë që ajo të mos ketë komunikim me këta zyrtarë, sepse mund të urdhërojë dhe ata do ta zbatojnë,” deklaroi Bardhi.
Ai komentoi gjithashtu emërimin e Enea Karakaçi si pasardhës i Ballukut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke thënë se ai ishte promovuar dhe emëruar më parë nga Balluku.