
Një automjet tip “Range Rover” është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit në lagjen nr. 1 të Pogradecit, duke u djegur pothuajse plotësisht.
Sipas burimeve, mjeti është në pronësi të shtetasit E. M., i njohur për Policinë e Pogradecit për precedentë të mëparshëm penalë. Ai ka qenë gjithashtu i përfshirë në një konflikt fizik ditën e zgjedhjeve, ku rezultoi ndër të arrestuarit pas një përplasjeje me një komisioner.
Nga ana e grupit hetimor është kryer kqyrja e vendit të ngjarjes dhe janë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, pasi ka dyshime se zjarrvënia mund të ketë qenë e qëllimshme. Megjithatë, shkaku i zjarrit nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.
Njoftimi paraprak i Policisë
Sipas informacionit paraprak, më datë 26.02.2026, rreth orës 03:50, në lagjen nr. 1, Pogradec, ka rënë zjarr në automjetin e shtetasit E. M., i cili ka qenë i parkuar.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.