Vendosni fjalën kyçe....

Irani beson ende te bisedimet për shmangien e sulmit amerikan


Irani sheh mundësinë e një rezultati të mirë nga raundi i tretë i bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, deklaroi të mërkurën presidenti, Masoud Pezeshkian, teksa një delegacion u nis drejt Gjenevës për negociata mbi programin bërthamor të Teheranit.

Një zyrtar i lartë amerikan tha të hënën se i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, janë planifikuar të takohen me delegacionin iranian, të udhëhequr nga ministri i Jashtëm Abbas Araqchi, në Gjenevë të enjten.

Të dy vendet rinisën negociatat mbi programin bërthamor të debatuar prej kohësh në fillim të këtij muaji, ndërsa SHBA-ja po rrit aftësinë e saj ushtarake në Lindjen e Mesme përpara sulmeve të mundshme mbi Iranin. Teherani ka kërcënuar se do godasë bazat e SHBA-së në rajon nëse sulmohet.

Më 19 shkurt, Trump tha se po i jepte Teheranit rreth 10 deri në 15 ditë kohë për të arritur një marrëveshje.

“Në lidhje me bisedimet, ne shohim një perspektivë të mirë, nesër në takimin që Dr. Araqchi do mbajë në Gjenevë…ne jemi përpjekur, me udhëzimin e Udhëheqësit Suprem, ta menaxhojmë këtë proces për të dalë nga gjendja ku jemi tani ‘as luftë, as paqe’,” tha Pezeshkian në komentet e transmetuara nga mediat shtetërore, shkruan Reuters.

Araqchi tha të martën se një marrëveshje me SHBA-në ishte “e arritshme, por vetëm nëse diplomacisë i jepet përparësi.”

SHBA-ja dhe Izraeli besojnë se Irani synon të ndërtojë një armë bërthamore që mund të kërcënojë ekzistencën e Izraelit. Irani thotë se programi i tij bërthamor është thjesht paqësor, edhe pse ai ka pasuruar uraniumin shumë përtej pastërtisë së nevojshme për prodhimin e energjisë dhe pranë asaj që kërkohet për një bombë.