Vendosni fjalën kyçe....

Projektligji për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Ekzekutimin e Vendimeve Penale miratohet në parim



Në mbledhjen e radhës së Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, u shqyrtua dhe miratua në parim projektligji “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i pranishëm për të paraqitur nismën, theksoi se ky projektligj synon krijimin e një strukture moderne dhe funksionale, e cila do të garantojë kontroll efektiv, transparencë dhe profesionalizëm në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale.

“Agjencia e re do të ketë për mision parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale brenda sistemit, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm për të garantuar integritetin institucional”, u shpreh Lamallari.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar veprimtarisë informative gjurmuese, e cila do të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe me udhëzime ndërinstitucionale, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore, si dhe duke mbrojtur të dhënat personale dhe duke kërkuar autorizim nga prokurori për çdo të dhënë operative.

Projektligji rregullon gjithashtu emërimin dhe lirimin e Drejtorit të Përgjithshëm, duke forcuar balancën institucionale mes ministrit dhe Kryeministrit, dhe vendos kritere më të qarta për transferimet, komandimet dhe ndërprerjen e marrëdhënieve të punës.

Pas miratimit në parim, projektligji do të vijojë shqyrtimin nen për nen, për t’u paraqitur më pas në seancën plenare për votim. Ministri Lamallari e konsideroi këtë nismë një hap kyç drejt konsolidimit të një sistemi të sigurt, transparent dhe të përgjegjshëm, në shërbim të shtetit të së drejtës dhe besimit të qytetarëve tek institucionet.