Vendosni fjalën kyçe....

Warner Bros rihap negociatat me Paramount pas rritjes së ofertës



Bordi i Warner Bros. Discovery (WBD) ka rihapur negociatat me Paramount Skydance pasi kjo e fundit rriti ofertën në 31 dollarë për aksion, duke e çuar betejën për studion pas “Batman” dhe “Harry Potter” në një fazë vendimtare, përcjell Reuters.

Paramount përmirësoi kushtet financiare të propozimit, duke rritur tarifën e ndërprerjes në 7 miliardë dollarë – nga 5.8 miliardë – në rast se marrëveshja dështon për shkak të pengesave rregullatore. Gjithashtu, kompania ofroi pagesë shtesë prej 25 centësh për aksion për çdo tremujor pas 30 shtatorit që marrëveshja nuk mbyllet, si dhe premtoi të shtojë kapital nëse bankat shfaqin shqetësime për financimin.

Bordi i WBD deklaroi se ende nuk ka përcaktuar nëse oferta e re e Paramount është më e favorshme se ajo e Netflix, por do të vijojë angazhimin me të dyja palët. Nëse paraqitet një ofertë superiore, Netflix ka katër ditë pune për ta rishikuar propozimin e vet.

Paramount ofron 31 dollarë për aksion në cash për të gjithë kompaninë. Ndërsa Netflix ka propozuar 27.75 dollarë për aksion – rreth 82.7 miliardë dollarë në total, përfshirë borxhin neto – për studiot e filmit dhe televizionit, katalogun dhe shërbimin e transmetimit HBO Max. WBD planifikon të ndajë divizionin e saj televiziv në një kompani të veçantë të listuar publikisht, Discovery Global, çka e ndërlikon krahasimin e ofertave.

Vlera e ofertës së Netflix varet pjesërisht nga niveli i borxhit dhe kapitalizimi i Discovery Global pasi të nisë tregtimin. Bordi i Warner vlerëson se aksionet e Discovery Global mund të arrijnë mes 1.33 dhe 6.86 dollarë për aksion, çka potencialisht mund ta çojë kthimin total për aksionarët mbi ofertën e mëparshme prej 30 dollarësh të Paramount.

Analistët paralajmërojnë se zgjedhja e fituesit mund të sjellë padi nga aksionarët, pasi ofertat nuk janë drejtpërdrejt të krahasueshme dhe përfshijnë asete të ndryshme.

Çdo marrëveshje do të riformësonte ekuilibrat e fuqisë në Hollywood, duke i dhënë fituesit një nga studiot më prestigjioze në industri, një bibliotekë të gjerë përmbajtjeje dhe ekskluzivitete të rëndësishme si “Game of Thrones” dhe universin DC Comics.

Ndërkohë, Paramount ka argumentuar se ka një rrugë më të qartë për miratim rregullator në SHBA krahasuar me Netflix dhe ka lënë të kuptohet se, nëse oferta refuzohet, mund të sfidojë bordin në mbledhjen vjetore të aksionarëve.

Warner Bros. Discovery pritet të publikojë rezultatet tremujore këtë javë, ndërsa votimi i aksionarëve për marrëveshjen me Netflix është planifikuar për 20 mars.