
Gazment Bardhi tha se nuk kishte asnjë surprizë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku u diskutua për imunitetin e zv.kryeministres Balluku.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se kishte urdhëruar pesë anëtarët socialistë në këshill të rreshtohen kundër kërkesës së Prokurorisë, duke u bërë “mburojë politike” për Ballukun.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së bëri të ditur edhe qëndrimin e paraqitur nga SPAK gjatë mbledhjes, ku prokurorët kanë këmbëngulur në nevojën e masës së arrestit. Sipas Bardhit, përfaqësuesit e akuzës kanë referuar pretendime se persona me precedentë apo reputacion intimidues kanë kërcënuar dëshmitarë, ndërsa po verifikohet nëse këta individë kanë lidhje me struktura kriminale.
Bardhi theksoi se, sipas informacioneve të dhëna në mbledhje, hetimet janë në vijim për të përcaktuar natyrën e këtyre lidhjeve dhe ndikimin e mundshëm të tyre në procesin hetimor.
“Asnjë surprizë, Rama kishte urdhëruar 5 anëtarët e tij që të bëheshin mburojë politike për të korruptuarën Balluku. Ajo që konfirmoi SPAK, është që situata penale ndaj Ballukut është rënduar së tepërmi krahasuar me masat e para që gjykata ka dhënë ndaj saj. Masa që në këtë moment të hetimit, nuk mbrojnë dot hetimin e paanshëm dhe të plotë nga prokuroria. Në momentin që ndaj Ballukut është kërkuar marrja e masave shtrënguese dhe ndaluese në GJKKO ajo rrezikonte një dënim që shkonte deri në 10 vite, sot që flasim nëse provohen të akuzat, balluku rrezikon deri në 35 vite burg. Kjo tregon që jemi në situatë të rënduar.
Prokurorët në një dëshmi tronditëse, i kanë vendosur në dispozicion këshillit provat se si balluku përmes dy formave, forma e parë përmes të fortëve që ata po hetojnë, nëse bëhet fjalë për persona të krimit është në hetim, dhe rezervuan të drejtën për të mos dhënë detaje. Kanë kërcënuar me jetë dëshmitarë në çështjen balluku,. Dhe forma e dytë, përmes zyrtarëve të lartë publik, që së pari duke kërcënuar dëshmitarët se do t’i hiqnin nga puna ata që dëshmonin kundër ballukut, është nënë, edhe babanë. Dhe pasi kishin dështuar me kërcënimin i kishin ofruar para“, tha Bardhi.