Vendosni fjalën kyçe....

Furnizoi makinën me naftë dhe u largua pa paguar, arrestohet 28-vjeçari në Bulqizë


Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia në Bulqizë, pasi u largua pa paguar pasi furnizoi makinën me naftë në një karburant në fshatin Shupenzë, duke rrezikuar jetën e punonjësit.

Sipas Policisë, autori u identifikua dhe u kap falë pamjeve filmike dhe reagimit të shpejtë të forcave “Shqiponja”. Ai rezulton i dënuar më parë në Itali për grabitje dhe i dëbuar për 10 vite nga ky shtet.

Njoftimi i Policisë:

Bulqizë-Furnizoi me naftë automjetin dhe nuk kreu pagesën por u largua me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësit të karburantit,  identifikohet, kapet dhe arrestohet drejtuesi i automjetit.

28-vjeçari,  i dënuar më parë në Itali për grabitje dhe i dëbuar për 10 vite nga ky shtet.

Forcat e Posaçme “Shqiponja” pranë DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë, pas kallëzimit të bërë nga punonjësi i një pike karburanti në Shupenzë, për një drejtues automjeti i cili u largua pa kryer pagesën pasi furnizoi automjetin me karburant, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e tij.

Si rezultat i reagimit në kohë, administrimit të pamjeve filmike dhe provave të tjera, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i drejtuesit të automjetit, konkretisht shtetasi A. Xh., 28 vjeç, banues në Bulqizë, i dënuar më parë në Itali për grabitje dhe i dëbuar për 10 vite nga ky shtet.

Ky shtetas dyshohet se në orët e para të mëngjesit të datës 21.02.2026, në një karburant në Shupenzë, është paraqitur me një automjet tip “Benz” dhe, pasi e ka furnizuar me naftë, është larguar me shpejtësi pa kryer pagesën, duke rrezikuar edhe jetën e punonjësit të karburantit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, si dhe një kapuç në formë maske.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.