Vendosni fjalën kyçe....

Bllokohet Librazhd-Pogradec, rrëshqitja kërcënon linjën 110 kV


Rrëshqitjet e rrugëve janë kthyer kohëve të fundit në ngjarje të shpeshta, por duket se rasti i fundit ka sjellë edhe më shumë telashe.

Qarkullimi në segmentin rrugor Librazhd–Pogradec, në zonën e njohur si Arrat e Gurrës, është ndaluar këtë të shtunë për të gjitha mjetet pasi rrëshqitja e terrenit u përkeqësua ndjeshëm gjatë orëve të fundit, njoftoi Autoriteti Rrugor Shqiptar duke u koordinuar për masat me Policinë e Shtetit. Vendimi pason një kufizim fillestar vetëm për mjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusët, teksa autoritetet po punojnë për ndërtimin e një bypass-i provizor për të rikthyer sigurinë dhe aksesin.

Përdoruesit e autoveturave janë udhëzuar të devijojnë qarkullimin përmes itinerarit alternativ Maliq–Lozhan–Moglic–Gramsh–Elbasan deri në stabilizimin e plotë të situatës. Masat synojnë parandalimin e incidenteve dhe mbrojtjen e jetës, ndërsa zhvillimet në terren po monitorohen në vazhdimësi.

Rajoni juglindor, konkretisht Pogradec, Korçë, Devoll, mbeten të bllokuar nga rrëshqitja duke e bërë të vështirë lidhjen me pjesën qendrore të vendit. Aktualisht edhe rruga e inauguruar vetëm pak kohë më parë Qukës–Qafë Plloçë mbetet e dëmtuar nga e njëjta problematikë.

Paralelisht, OST bëri të ditur se rrëshqitja e tokës është konstatuar edhe pranë shtyllës nr. 15 të linjës së transmetimit 110 kV Librazhd–Përrenjas. Sipas operatorit, struktura nuk ka pësuar deformime apo lëvizje deri tani, por specialistët po vlerësojnë mundësinë e zhvendosjes në një shesh të ri si masë parandaluese.

Qarrkullimi në rrugë

Policia e Shtetit njoftoi mbi masat në kushtet e bllokimit.

“Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan: Në vijim të njoftimit të dhënë, për qarkullimin e mjeteve në aksin rrugor “Librazhd-Pogradec”, informojmë se do të bëhet bllokimi i plotë i qarkullimit në këtë aks rrugor, deri në një njoftim të dytë.

Në zbatim të këtij vendimi:
– Ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve, përfshirë mjetet e tonazhit të rëndë, autobusët dhe mjetet e vogla;

– Pikat kufitare do të njoftojnë dhe orientojnë drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, autobusët dhe mjetet e vogla për të mos vijuar lëvizjen në këtë aks;

– Rrugë alternative për mjetet e vogla do të jetë aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.

Do të lejohen të kalojnë vetëm Ambulancat, Shërbimet zjarrfikëse dhe Mjetet e Policisë.

Shërbimet e Policisë janë të pranishme në terren për monitorimin e situatës dhe orientimin e drejtuesve të mjeteve.

Apelojmë për mirëkuptim dhe respektim rigoroz të udhëzimeve të dhëna nga strukturat e Policisë.

Për çdo emergjencë, qytetarët të telefonojnë në numrin pa pagesë 112”/Monitor