Vendosni fjalën kyçe....

Shkarkimet nga HEC-i i Banjës përmbytin sërish Fierin, dëme në banesa dhe bujqësi



Shkarkimet nga Hidrocentrali i Banjës me rreth 100 metër kub ujë në sekondë kanë shtuar ndjeshëm prurjet në lumenjtë e qarkut Fier, duke shkaktuar përmbytje në toka bujqësore dhe në banesa.

Situata paraqitet më problematike në fshatrat Petovë dhe Mbrostar të Fierit, ku banorët raportojnë se janë përmbytur tre herë brenda pak muajsh. Njëri prej tyre shprehet se janë detyruar të largohen nga shtëpitë për shkak të lagështirës së vazhdueshme.

Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në sektorin e bujqësisë, ku hektarë të tërë toke ndodhen nën ujë. Fermerët theksojnë se, përveç kulturave që u kalbën, do të duhet kohë e gjatë që parcelat të thahen për t’u rimbjellë.

Të shqetësuar për përmbytjet e përsëritura, banorët deklarojnë se dëmet ekonomike në banesa dhe toka bujqësore janë tepër të mëdha, duke i vënë në kushte të vështira mbijetese.