
Përkeqësimi i situatës së krijuar nga rrëshqitja dhe fundosja e rrugës në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”, në zonën e Dragostunjës, përgjatë aksit Librazhd–Prrenjas, ka vënë në alarm autoritetet rrugore. Sipas burimeve zyrtare, segmenti pritet të bllokohet për një afat të pacaktuar për shkak të rrezikut të lartë.
Zona problematike po përballet me lëvizje të konsiderueshme të masivëve të tokës, duke rritur ndjeshëm rrezikun për qarkullimin e automjeteve.
Burime zyrtare bëjnë me dije se fillimisht do të ndërmerret një zgjidhje provizore për stabilizimin e situatës, ndërsa paralelisht do të realizohet një studim i plotë gjeologjik i trupit ekzistues të rrugës, për të përcaktuar ndërhyrjen afatgjatë.
Ndërkohë, situata ka sjellë pasoja të menjëhershme në qarkullim. Autokolona e autobusëve me kapacitet 40 vende ka arritur deri në 2–3 kilometra, si në hyrje të Librazhd, ashtu edhe në zonën e Hotolisht, duke krijuar vonesa të konsiderueshme për udhëtarët.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve në terren, ndërsa pritet një vendimmarrje zyrtare për fatin e këtij segmenti problematik të aksit kombëtar.