
Zëvendëspresidentja e Partia e Lirisë, Erisa Xhixho, komentoi në emisionin “News24 Fundjavë” protestën e opozitës të zhvilluar para Kryeministrisë.
Xhixho theksoi se protesta pati pjesëmarrje të lartë, por sipas saj u përball me dhunë të njëanshme. Ajo nënvizoi nevojën për organizim më të mirë dhe përqendrim te mesazhet politike për qytetarët, në mënyrë që të shmangen incidente të ngjashme në të ardhmen.
Në deklaratën e saj, ajo iu referua edhe debatit të zhvilluar më herët në Kuvend, ku sipas saj deputetët e opozitës paraqitën alternativa për çështje si TVSH-ja për ushqimet, siguria ushqimore, minatorët, akciza dhe pagat e mësuesve, të cilat, siç u shpreh ajo, u rrëzuan nga mazhoranca.
“Vetëm dy ditë më parë në Kuvend u shpalosën disa alternativa nga deputetët e opozitës, duke nisur nga TVSH për ushqimet, me sigurinë ushqimore, me propozimet e zonjës Tabaku për minatorët, për Akcizën apo dhe pagat e mësuesve, të cilat u hodhën të gjitha në kosh me arrogancë nga mazhoranca. Mendoj se protesta e djeshme kishte pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Dje kishte një dhunë të njëanshme. Dje ministrja tha se nuk do të mbante përgjegjësi për dhunën në protestë. Kemi parë të infiltruar në protestë. Është hedhur gaz lotsjellës në selinë e PD. Po kërcënoheshin dhe po mbaheshin nën terror demokratët”, tha Xhixho.