Vendosni fjalën kyçe....

Gogo.al/ Maqedonia e Veriut në vendnumëro, Shqipëria ecën përpara drejt integrimit në BE


Autorë Xhelal Neziri, Dallandyshe Xhaferri Agolli, Valmora Gogo

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilat për vite me radhë kanë ecur paralelisht në procesin e integrimit evropian, sot paraqesin dy modele të ndryshme të përparimit drejt Bashkimit Evropian: Shqipëria ka konsoliduar pozicionin e saj si vend negociator aktiv, duke hyrë në fazën e harmonizimit të plotë ligjor dhe institucional përmes hapjes së të gjithë grupkapitujve, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar në fazën paraprake të negociatave për shkak të kushtëzimeve politike, barrierave bilaterale dhe mungesës së konsensusit të brendshëm ndër vite.

*****

Në mars të vitit 2004, vetëm një muaj para zgjedhjeve të parakohshme presidenciale, kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Branko Cërvenkovski kishte kryesuar një delegacion të madh drejt Dublinit të Irlandës për të parashtruar kërkesën për marrjen e statusit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian (BE). Irlanda, si kryesuese e presidencës së BE-së, kishte pranuar me një empati të theksuar këtë vendim ambicioz të një shteti të vogël të Ballkanit problematik.

Tri vite më parë Maqedonia e Veriut doli nga një konflikt i armatosur, që përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit, ndërsa vetëm një muaj më herët kishte përjetuar një tragjedi të paparë: presidenti i shtetit, Boris Trajkovski, kishte humbur jetën gjatë rrëzimit të aeroplanit të tij në hapësirën ajrore të Bosnjë e Hercegovinës.

Duke parë këtë frymë pozitive në BE, Cërvenkovski nuk kishte dyshim se vendi do të merrte statusin kandidat. Duke qenë tashmë figura kryesore unifikuese në shtet, Cërvenkovski shpalli kandidaturën për president të shtetit, duke shfaqur ambicie për të kaluar nga kryeministria në presidencë.

Ai ishte i vetëdijshëm se për të fituar zgjedhjet do të duhet të merrte votat edhe të shqiptarëve etnikë, të cilët përbëjnë gati një të tretën e popullsisë së vendit. Aq më tepër që kur një president zgjidhet duhet ta kenë votuar më shumë se gjysma e votuesve të regjistruar, një prag që shpesh ka qenë problematik për t’u arritur.

Cërvenkovski e dinte se një shumicë e madhe e shqiptarëve etnik e përkrahnin fuqishëm integrimin në BE, andaj atyre iu drejtua me një premtim shumë konkret: “Nëse fitoj unë, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të jenë shqiptarët e parë nga Ballkani që do të bëhen pjesë e BE-së”.

Veteranit të gazetarisë maqedonase, Zoran Ivanov, i kujtohet mjaft mirë ai moment i para 22 viteve. “Po, ajo që presidenti i atëhershëm deklaroi për shqiptarët e Maqedonisë si grupi i parë, kushtimisht thënë, që do të hyjë në BE, nëse më kujtohet mirë, ishte me qëllime parazgjedhore për të fituar simpati edhe tek votuesit shqiptarë në Maqedoni”, thotë Ivanovi, i cili në atë periudhë ishte shef i komunikimit me mediat në kabinetin e Cërvenkovskit.

Ishte koha kur Mali i Zi ishte pjesë e federatës me Serbinë, si mbetje nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, Kosova nuk kishte shpallur ende shtet, kurse Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina ishin larg statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Maqedonia e Veriut dhe Kroacia ishin në krye të procesit të integrimit, ndërkohë që ishte në një grup për t’u bërë pjesë edhe të NATO-s.

VETOT NDAJ SHKUPIT DHE NDARJA NGA TIRANA

Cërvenkovski fitoi zgjedhjet, por në vitin 2008 u përball me veton e Greqisë, e cila kushtëzoi vazhdimin e procesit integrues euroatlantik të Shkupit me ndryshimin e emrit. Ky problem u zgjodh në vitin 2018, kur u nënshkrua Marrëveshja e Prespës me të cilën vendi u riemërua nga “Maqedoni” në “Maqedoni e Veriut”.

Megjithatë, kjo nuk ishte pengesa e fundit. Në vitin 2019 Franca kushtëzoi zgjerimin e BE-së me metodologjinë e re të negociatave, kurse në vitin 2020 Bullgaria kërkoi zbatimin e menjëhershëm të Traktatit të Fqinjësisë së Mirë, të nënshkruar në vitin 2017. Ky kushtëzim përkohësisht u tejkalua me Propozimin Francez, i arkivuar si “Protokolli 2” në ministritë e jashtme në Shkup dhe Sofje, një dokument i hartuar gjatë presidencës gjermane por i finalizuar gjatë asaj franceze në vitin 2022.

Me këtë dokument kompromisi, i aprovuar nga parlamentet e dy shteteve, Shkupit iu mundësua të ecë përpara në procesin e negociatave, por me kusht që në fazën e parë të miratojë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve etnikë në preambulën e saj. Pasi në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut nuk u sigurua shumicë e dyfishtë për përmbushjen e këtij obligimi, vendi ende nuk ka hapur negociatat.

Shqipëria, e cila deri në vitin 2024 ishte pjesë e grupit me Maqedoninë e Veriut, u shkëput dhe vazhdoi përpara, një moment që hapi shumë debate në Shkup.

“Kjo ndarje është ekskluzivisht e natyrës politike, përkatësisht për shkak të kërkesës bullgare për ndryshimin e Kushtetutës”, thotë Dragan Tilev, ish-sekretar shtetëror në Ministrinë për Çështje Evropiane në Shkup dhe njëri nga ekspertët më të njohur të procesit euro-integrues. “Fakt është se kjo kërkesë ka karakter bilateral, që buron nga Protokolli 2, ku për herë të parë përmendet hapja e Kushtetutës dhe përfshirja e komunitetit bullgar në preambulën tonë”.

Me transferimin e Protokollit 2 në konkluzionet e Këshillit të BE-së dhe në Kornizës Negociuese më 18 qershor 2022, ai problem bilateral, sipas Tilev, u transformua në kusht evropian. Nga ky moment ky dokument i karakterit ndërshtetëror u bë kusht evropian dhe përbën një “benchmark” politik, i cili derisa të përmbushet nuk e lejon vendin të ecë përpara me hapjen e Klasterit të parë “Themelet”.

Drita Abdiu Halili ka qenë kryenegociatore e Maqedonisë së Veriut me BE-në deri në vitin 2024. Ajo thotë se procesi i zgjerimit të BE-së ka qenë gjithmonë sa teknik, aq edhe politik.

“Kjo është bërë edhe më e dukshme pas agresionit rus ndaj Ukrainës, kur zgjerimi mori sërish rolin kyç si instrument strategjik i sigurisë evropiane. Në këtë kontekst të ri gjeopolitik, BE e sheh zgjerimin si pjesë të arkitekturës së saj të stabilitetit, jo vetëm si proces administrativ harmonizimi ligjor”.

Por Tilev thotë se Shqipëria vazhdoi procesin më tej dhe me një shpejtësi të paprecedentë deri më tani, midis tjerash, edhe për shkak se nuk kishte një kushtëzim të karakterit politik, siç pati Maqedonia e Veriut. “Ne ishim të lidhur si rajon, por me Shqipërinë ishim më afër në proces sepse i ndiqnim hapat paralelisht.

Për një kohë të gjatë ne ishim shumë më përpara, por Shqipëria ishte më e fokusuar në proces dhe i përqendroi të gjitha burimet në të. Edhe ne kishim një prioritet të tillë derisa Greqia e problematizoi procesin për çështjen e emrit, e më pas edhe Bullgaria për çështjet historike.”

Dimitar Nikollovski, drejtor i think-tenkut “Eurothink” me seli në Shkup, pajtohet se bllokadat e jashtme janë një faktor real dhe nuk mund të relativizohen, sidomos sepse e zhvendosin procesin nga kriteret drejt çështjeve bilaterale. Por, thekson ai, “nëse duam një analizë të ndershme, stagnimi nuk mund të shpjegohet ekskluzivisht vetëm me bllokada”.

Gazetari Zoran Ivanov thotë se ekzistojnë dy faktorë madhorë pse vendi ka ngecur në integrimet evropiane. I pari, sipas tij, janë paqartësitë historike me fqinjët, para së gjithash me Greqinë dhe me Bullgarinë. “Politikat e tyre ndaj vendit jo vetëm që e ngadalësuan, por në periudha të caktuara edhe e bllokuan lëvizjen eurointegruese të Maqedonisë”, shton ai. Dhe i dyti, thekson Ivanov, është politika e brendshme maqedonase.

“Veçanërisht politika e theksuar populiste, madje edhe nacionaliste, e partisë që është në pushtet edhe sot, VMRO-DPMNE”.

Në fakt, Maqedonia e Veriut ecte bashkë me Shqipërinë në procesin e integrimit në BE deri më 19 qershor të vitit 2022. Bashkërisht mbajtën konferencën e parë ndërqeveritare, me çka zyrtarisht i nisën bashkë negociatat. Por dallimi qëndronte në faktin se Shqipëria atëherë mbajti një konferencë të plotë ndërqeveritare, ndërsa Maqedonia e Veriut kishte një konferencë politike ndërqeveritare.

Edhe pse jo shumë i trajtuar në opinionin maqedonas, dallimi ishte se konferenca politike ndërqeveritare Shkup-Bruksel ishte vetëm një hapje politike e negociatave, e jo thelbësore dhe e njëmendtë si ajo me Shqipërinë.

“Ky ishte rezultat i kundërshtimit bullgar, i cili në atë kohë u tërhoq për të nisur negociatat, por me kusht që të bëheshin ndryshimet kushtetuese që burojnë nga Protokolli i dytë me Bullgarinë, i cili është një korpus dokumentesh të ndërlidhura mes tyre”, kujton Tilev. Bullgaria, sipas tij, e shfrytëzoi atë moment për të vendosur kushte, ndërsa Komisioni Evropian gjeti formulën e hapjes politike të negociatave, e cila bazohet në metodologjinë e re.

Pas konferencës së parë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut filluan procesin e skriningut dhe shkuan së bashku në të gjitha sesionet, të filluara në vitin 2022 dhe të përfunduara në vitin 2023.

Ndarja ndodhi në momentin kur, në tetor të vitit 2024, Shqipëria e hapi Klasterin e parë pasi përmbushi parakushtet, përkatësisht përcaktuesit për hapjen e negociatave, siç janë udhërrëfyesi për sundimin e ligjit dhe udhërrëfyesi për reformat në administratë.

“Që nga ai moment, Shqipëria vazhdoi me shpejtësi rrufeje”, thotë Tilev.

“Duke shfrytëzuar aspektet pozitive të metodologjisë së re, e cila siguron dinamizëm në përparim, Shqipëria brenda 12 muajve arriti të hapë të gjashtë klasterët, e me këtë edhe të gjitha 33 kapitujt”.

Ish-kryenegociatorja Abdiu Halili e sheh problemin në Shkup. Ajo thotë se Korniza Negociuese, e miratuar në vitin 2022, është në fuqi dhe BE-ja ka qenë e qartë se hapi i radhës është përmbushja e kushteve të dakorduara, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese që lidhen me hapjen e Klasterit “Themelet”.

“Në këtë kuptim procedural, veprimi duhet të vijë nga Shkupi”, shton ajo.

Ky qëndrim është ripërsëritur vazhdimisht nga institucionet e BE-së dhe u reflektua sërish në takimin e 19-të të Komitetit të Stabilizim-Asociimit në shkurt të këtij viti. Sipas njoftimit zyrtar, Komiteti theksoi rëndësinë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të ecë përpara në procesin e anëtarësimit dhe të zbatojë kushtet e përcaktuara. Nga ana teknike, sipas Abdiu Halilit, procesi është i strukturuar dhe BE po kërkon zbatimin e kushteve të dakorduara.

NGA BASHKËPUNËTORË NË GARUES PËR NË BE

Lajmi se Shqipëria ka hapur të gjashtë grupkapitujt (klasterët) brenda një viti hapi një debat të ashpër në Maqedoninë e Veriut, lidhur me atë se cili vend është realisht më afër integrimit në BE.

Deklarata e kryeministrit aktual të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, se vendi i tij vazhdon të jetë para Shqipërisë dhe pas Malit të Zi në procesin e integrimit në BE, shkaktoi reagime të ndryshme në opinion. Mickoski është kryetar i partisë së qendrës së djathtë VMRO-DPMNE, e cila erdhi në pushtet në vitin 2024 pikërisht duke kundërshtuar ndryshimet kushtetuese për të zbatuar Propozimin Francez.

Ish-kryenegociatorja Abdiu Halili, ndërkaq, thotë se integrimi në BE nuk matet vetëm me numrin e ligjeve të harmonizuara. “Ai nënkupton harmonizim të plotë legjislativ, kapacitete të mjaftueshme institucionale dhe njerëzore për implementim dhe zbatim efektiv të acquis-it”, shton ajo.

Ndoshta ky krahasim, sipas saj, do të kishte kuptim të bëhej deri në vitin 2024, përpara se Shqipëria të fillonte me hapjen e klasterëve. “Sot Shqipëria ndodhet në një fazë ku procesi ka kaluar nga përafrimi gradual drejt harmonizimit të plotë në kuptimin negociues. Duke qenë se ka hapur të gjithë klasterët, ajo tashmë punon mbi përmbushjen e piketave të ndërmjetme (interim benchmarks) dhe ka të përcaktuara qartë edhe piketat përmbyllëse (closing benchmarks) për kapitujt përkatës.

Kjo do të thotë se procesi është futur në një fazë ku kërkohet jo vetëm përafrim legjislativ, por prova konkrete zbatimi dhe përmbushje e plotë e detyrimeve përpara mbylljes së kapitujve, dhe Shqipëria punon drejt kësaj me shumë përkushtim”.

Për të parë se ku realisht qëndron e vërteta, në bazë të Ligjit për qasje të lirë deri te informacioni i karakterit publik, kërkuam të gjitha dokumentet ku vlerësohet shkalla e përafrimit të vendit me BE-në. Megjithatë, ministritë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nuk pranuan të përgjigjen.

Të gjithë na orientuan që informacionet t’i kërkojmë te Ministria e Çështjeve Evropiane, e drejtuar nga ministri Bekim Sali, një funksionar i grupimit politik të shqiptarëve etnikë në pushtet VLEN. Nga kjo Ministri nuk morëm përgjigje, por kërkesa për qartësim të pyetjeve, një mënyrë kjo që institucionet e përdorin për të mos u përgjigjur.

Mediat dhe ekspertët tashmë kanë një pasqyrë deri diku të qartë, pasi kanë analizuar dokumentet publikisht të qasshme, si raportin e skriningut, raportet vjetore të Komisionit Evropian (KE) dhe Agjendën e Reformave 2024-2027. Duke marrë parasysh ato dokumente, Nikollovski nga “Eurothink” pajtohet se  Maqedonia e Veriut ka një nivel relativisht të lartë të përgatitjes teknike në disa pjesë të acquis-it dhe një “inerci” të gjatë administrative në harmonizimin me BE-në.

Por, ai thekson se “Shqipëria aktualisht është më përpara në vetë dinamikën e negociatave”. “Teza se jemi ‘më përpara’, ndonëse realisht nuk po lëvizim në negociata, është më tepër një narrativë e brendshme politike sesa një gjendje e matshme sipas metodologjisë së zgjerimit”, është i qartë Nikollovski.

Në të njëjtën vijë është edhe profesori universitar dhe anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), Akademiku Abdylmenaf Bexheti. Ai e nënvizon shpejtësinë e përparimit të Shqipërisë dhe ngecjen e madhe të Maqedonisë së Veriut në procesin eurointegrues.

“Kur Maqedonia kishte statusin e vendit kandidat për eurointegrime, Shqipëria nuk e kishte as Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të nënshkruar. Sot situata është diametralisht e kundërt”, thotë Bexheti.  Nga kjo perspektivë, sipas tij, Maqedonia e Veriut as që mund të krahasohet më me Shqipërinë. “E vetmja gjë me të cilën Maqedonia ia kalon Shqipërisë është niveli i borxhit publik – kuptohet, edhe kjo në konotacion negativ”, nënvizon ai.

Ish-sekretari shtetëror, eksperti Dragan Tilev, thotë se Shkupi është para në nivelin e harmonizimit të ligjeve vendore me ato evropiane. “Nëse maten reformat, përkatësisht harmonizimi i ligjeve me ato të BE-së, edhe pse Shqipëria është më përpara në procesin e negociatave, ne kemi një shkallë më të lartë përafrimi”.

Meqenëse Shqipëria i ka hapur të gjithë klasterët dhe kapitujt, Tilev paralajmëron se vetë procesi i negociatave të anëtarësimit do t’i përshpejtojë ndjeshëm reformat e tyre. “Është shumë e mundshme që në raportin e sivjetshëm të Komisionit Evropian, i cili do të publikohet në nëntor ose dhjetor, ata të jenë në të njëjtin nivel ose edhe më të mirë se ne në zbatimin e reformave”, shton ai. Sipas tij, Shkupi mund të ruajë përparësinë nëse arrin t’i përshpejtojë reformat brenda vendit, pavarësisht nëse do të fillojë apo jo procesi i negociatave.

Por, ky optimizëm i Tilevit nuk duket dhe aq i mundur. Vendi ka ngecur edhe në përmbushjen e Agjendës së Reformave, në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor (2024–2027), e miratuar nga Komisioni Evropian në tetor të vitit 2024. Agjenda e propozuar nga Shkupi përfshin 37 reforma kyçe me 136 aktivitete në pesë fusha prioritare dhe mbështetet me rreth 750 milionë euro grante dhe hua.

Maqedonia e Veriut më 24 mars të vitit 2025 tërhoqi një parapagesë prej rreth 52.2 milionë euro, nga të cilat rreth 24.5 milionë euro u transferuan drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, ndërsa rreth 28 milionë euro u kanalizuan përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor për projekte infrastrukturore.

Pagesat pasuese kanë qenë të pjesshme dhe të lidhura me përmbushjen e hapave konkretë të reformave, duke reflektuar një ritëm zbatimi ende të kufizuar. Ky është një proces paralel, që nuk varet nga ndryshimet kushtetuese dhe nuk kushtëzohet nga hapja e klasterëve. Pra, edhe kur negociatat janë në pritje, reformat mund dhe duhet të vazhdojnë.

Megjithatë, përmbushja e Agjendës së  Reformave nuk ka qenë gjithmonë në ritmin e parashikuar.

“Kjo tregon se sfida nuk është vetëm procedurale apo politike, por është edhe çështje konsistence në zbatim dhe përcaktimit të prioriteteve”, thotë ish-kryenegociatorja Abdiu Halili.

Ngecja ka goditur edhe mbështetjen e qytetarëve ndaj procesit integrues në BE. Kushtëzimet nga Greqia dhe Bullgaria kanë rritur euroskepticizmin deri në atë nivel, saqë anëtarësimi në BE nuk ka qenë premtim kryesor gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit parlamentare në qershor të vitit 2024. Në këtë kontekst, Tilevi e sheh mungesën e rezultateve edhe kur bëhet fjalë në përmbushjen e obligimeve që vetë kjo qeveri i ka marrë me Agjendën e Reformave.

“Për shkak se bëhet fjalë për reforma të thella dhe të qëndrueshme, që duhet të zgjasin në kohë, nevojitet një atmosferë pozitive”, shprehet Tilevi.

“Fakt është se tek ne, për momentin, një energji e tillë nuk ekziston. Ka frustrim si te publiku, ashtu edhe te administrata dhe te elita politike. Ky është një element i rëndësishëm që duhet marrë parasysh kur flasim për arsyet pse nuk i realizojmë reformat edhe pa i nisur zyrtarisht negociatat”.

Kjo Agjendë filloi të harmonizohej me qeverinë e kaluar dhe u përmbyll me qeverinë aktuale. Detyrimi është të zbatohen reformat kyçe, të cilat sërish lidhen me skriningun dhe raportet vjetore të Komisionit Evropian, por që janë të ndërlidhura edhe me mjete konkrete financiare. Bëhet fjalë për gjashtë prioritete me 137 reforma, ku secila ka koston e vet.

“Këtu tashmë po mbetemi prapa, kemi dështime, dhe presioni që e krijon vetë procesi i integrimit në BE nuk po ndihet mjaftueshëm”, pajtohet Tilev.

“Këtu po mbetemi prapa, sepse shumë aktivitete nga Agjenda e Reformave nuk janë realizuar. Periudha e përgatitjes prej 12 muajsh përfundoi në vitin 2025 dhe gjatë asaj periudhe ishin paraparë shumë aktivitete që nuk u realizuan me kohë. Hipotetikisht, mund të ndodhë që në fund t’i realizoni reformat dhe t’i tërhiqni fondet, por nuk do të mund t’i shfrytëzoni ato sepse nuk do të keni projekte të shëndosha”.

Një krahasim domethënës në këtë drejtim është Moldavia. Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë për Zgjerim dhe Fqinjësi në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman, deklaroi gjatë një mbledhjeje të Komitetit për Punë të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian se Moldavia është vendi lider ndër kandidatët në zbatimin e Planit të Rritjes, duke përmbushur plotësisht kërkesat e periudhës së parë raportuese dhe madje duke i tejkaluar ato përpara afatit. Ai theksoi ritmin e shpejtë të reformave, përkushtimin politik dhe transparencën në raportim.

NGECJA KA PASOJA FINANCIARE DHE MJEDISORE

Përderisa Qeveria e Mickoskit pret garanci nga Bullgaria se nuk do të kushtëzojë më vendin nëse ndryshon Kushtetutën tani dhe përfshin bullgarët etnikë në preambulë, vendi po ballafaqohet me pasoja të rënda mjedisore dhe financiare.

Gjatë procesit të skriningut, Kapitulli 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike” është analizuar me të njëjtin nivel rigoroziteti si çdo kapitull tjetër. Abdiu Halili kujton se si gjatë screening-ut bilateral me Komisionin Evropian, legjislacioni nacional, strukturat institucionale dhe praktikat zbatuese janë shqyrtuar në mënyrë sistematike për çdo nënfushë të kapitullit, si ujërat, mbetjet, cilësia e ajrit, mbrojtja e natyrës, kontrolli industrial i ndotjes, ndryshimet klimatike etj.

Identifikohen boshllëqet ligjore, institucionale dhe financiare, si dhe kapacitetet e nevojshme për zbatim. Bazuar në këtë analizë të strukturuar për të gjithë acquis-in e Kapitullit 27, përgatiten dokumente strategjike, plane veprimi dhe projeksione investimesh afatgjata. Për më tepër, aspektet mjedisore trajtohen edhe në kapituj të tjerë me ndikim horizontal, si energjia, transporti, bujqësia dhe industria, duke e bërë dimensionin mjedisor pjesë integrale të strategjisë së përgjithshme të anëtarësimit.

“Nëse nuk adresohen në mënyrë të qëndrueshme, dobësitë jo vetëm në këtë kapitull, por në çdo kapitull, mund të përbëjnë një pengesë strukturore për anëtarësimin. Legjislacioni i BE-së kërkon përmbushje të plotë, jo vetëm transponim formal në legjislacion”, thotë ish-kryenegociatorja e Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriut ballafaqohet me shumë sfida mjedisore: gjatë periudhës së dimrit Shkupi dhe disa qytete tjera kanë ndotje rekorde, kurse menaxhimi me mbeturinat vazhdon të mos jetë i sistemuar.

Tilevi thotë se edhe në fushën e mjedisit jetësor vendi ka harmonizim të lartë të ligjeve vendore me ato të BE-së, por thekson se kjo pjesë është më voluminozja sa i përket ligjeve dhe dokumenteve. Përveçse është më voluminoz, Tilev thotë se Kapitulli 27 është edhe më i kushtueshmi dhe është afër kapitullit për përafrim të legjislacionit.

Pyetja logjike këtu është se sa qytetarët e ndjejnë këtë harmonizim të lartë të ligjeve.

“Nëse shohim se ku është cilësia më e mirë e ajrit, këtu ndikojnë shumë faktorë të tjerë përcaktues, si gjeografia dhe kushtet klimatike. Ne aktualisht jemi më të harmonizuar se Shqipëria, por një gjë është të miratoni ligjet, dhe tjetër gjë është të keni institucione të afta për t’i zbatuar ato ligje”, thotë Tilevi.

Më të rënda se ato mjedisore do të jenë ato financiare dhe ekonomike nëse Maqedonia e Veriut do mbetet në vendnumëro. “Sapo të anëtarësohet Shqipëria në BE, edhe ata pak investitorë të huaj mund të tentojnë të zhvendosen në Shqipëri”, paralajmëron Akademik Bexheti.

Ai thotë se pasojat e ngecjes do të jenë shumë të rënda: “Në afat të mesëm do të kemi ngecje demokratike, rritje të emigracionit, rritje të korrupsionit dhe të euroskepticizmit. Në afat të gjatë izolim ekonomik, ulje të investimeve dhe të remitancave, plakje të popullsisë dhe të çrregullimit demografik”.

Nëse krahasohen investimet e huaja të drejtpërdrejta, do të shihet se në Maqedoninë e Veriut janë më të ulëta në vlera absolute për më shumë se dyfish.

Vlerat e Investimeve të Huaja të Drejtpërdrejta në milionë dollarë amerikanë

“Momentumi i humbur tani, kur Evropa ka hapur dyert edhe për arsye gjeopolitike, nuk do të përsëritet shpejt”, paralajmëron Bexheti. Sipas tij, deri në vitin 2030 Shqipëria dhe Mali i Zi mund të anëtarësohen në BE, ndërsa nëse Maqedonia mbetet në paketë me Serbinë dhe Kosovën, perspektiva e anëtarësimit bëhet shumë më e largët.

NDIKIMET MALINJE DHE RREZIKU NGA DESTABILIZIMI

Mbetja larg anëtarësimit në BE dhe shkalla e lartë e euroskepticizmit shpesh është shfrytëzuar nga aktorë të huaj për të shtrirë ndikimet e tyre keqdashëse. Njëjtë si në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, Rusia, Kina dhe vendet e Lindjes së Afërt ka kohë që janë të pranishëm në sfera të ndryshme edhe në Maqedoninë e Veriut.

Megjithëkëtë, Tilevi beson se tashmë ekziston rrezik real që këto ndikime të ndryshojnë trajektoren gjeopolitike të vendit.

“Të mos harrojmë se ne jemi anëtarë të NATO-s”, thotë ai.

“Kjo tashmë është garanci për siguri dhe mbrojtje”. Tilevi po ashtu rikujton se vendi ka marrëveshje strategjike dhe dialog me SHBA-të, që mbulon edhe çështje të sigurisë – nga luftërat hibride dhe siguria kibernetike deri te kontrolli i investimeve të huaja direkte, në mënyrë që kapitali rus apo kinez të mos depërtojë në këto hapësira.

Fakti që nuk përparon në eurointegrime, gjë që sjell edhe ngadalësim të reformave, sipas Tilevit mund të krijojë hapësirë për penetrim të ndikimeve të huaja. “A do të jenë ato ruse, kineze apo përmes shteteve “proxy”, si për shembull përmes Serbia-s, mbetet e panjohur. Serbia ka marrëdhënie të afërta me Rusinë dhe Kinën dhe nuk është anëtare e OBT-së”, thekson ai.

Abdiu Halili, ndërkaq, paralajmëron se “nëse Maqedonia e Veriut mbetet prapa, pasoja nuk do të jetë vetëm simbolike”. “Rrezikojmë të humbasim pozicion në arkitekturën e re të integrimit evropian, të krijojmë hendek me vendet fqinje dhe të dobësojmë perceptimin e besueshmërisë sonë si partner serioz. Sa më shumë të avancojnë të tjerët, aq më i vështirë bëhet rikuperimi i ritmit”.

Nëse asgjë thelbësore nuk ndryshon, Nikollovski thotë se ekziston rreziku që të vendi të mbetet prapa në planin afatgjatë. Por, sipas tij, qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk duhet të pajtohen me këtë fat. “Vendi mund ta rikthejë kredibilitetin relativisht shpejt nëse sjell shpejt një vendim politik për zhbllokim, dhe nëse tregon rezultate reale në fushën e ‘Themeleve’”.

“Mendoj se situata aktuale kërkon qartësi në prioritete dhe vendime të shpejta. Procesi ka hyrë në një pikë ku lëvizja ose mungesa e saj do të përcaktojë pozicionin e vendit për vitet që vijnë”, thotë Abdiu Halili, duke shprehur optimizëm se vendi ka kapacitet që të kapërcejë këtë situatë. “çështja më urgjente mbetet adresimi i ngërçit politik që mban të bllokuar hapjen e klasterit ‘Themelet’, përfshirë ndryshimet kushtetuese. Pa zgjidhjen e kësaj çështjeje, procesi nuk mund të hyjë në fazën e plotë negociuese”.

Integrimi në BE shpesh është lidhur me stabilitetin e marrëdhënieve ndëretnike. Kjo nga shkaku se shqiptarët etnikë e shohin procesin e integrimit në BE si një mundësi për mënjanimin e kufijve mes tyre, por edhe si mundësi për një jetë më të mirë. Nga ana tjetër, maqedonasit etnikë gjithnjë e më shumë mendojnë se nuk janë për anëtarësim në BE pa identitet etnik, ndërkohë që Bullgaria po e konteston historinë dhe gjuhën e tyre.

Ekspertët thonë se kjo ndarje lidhur me BE-në mund të çojë në një konflikt, si ai në 2001, kur vendi ishte në buzë të një lufte qytetare.

“Rreziku ekziston, duke pasur parasysh konfliktin e vitit 2001 dhe disa çështje ende të paqarta rreth të drejtave gjuhësore dhe përfaqësimit, që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, e cila është pjesë e Kushtetutës”, thotë Tilevi. “Këto përbëjnë një potencial për fërkime të brendshme ndëretnike”.

Por ky rrezik, sipas ekspertëve, mbetet i ulët pasi Maqedonia e Veriut është shtet unitar, anëtar i NATO-s, dhe me perspektivë për anëtarësim në BE. Me zgjidhjen e çështjes së ndryshimeve kushtetuese, vendi mund të katapultohet në procesin e eurointegrimit dhe të kapë hapin me grupin që po formohet – Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia.

Anëtarësimi në BE i Shqipërisë, sipas Tilevit, mund të sjellë zhvillim më të madh ekonomik për Shqipërinë, e cila që tani shënon të ardhura rekord nga turizmi. Por, ai nënvizon se kjo nuk duhet parë si kërcënim. “Përkundrazi, mund të ketë ndikim pozitiv edhe tek ne, për shkak të lidhjeve që qytetarët tanë kanë me Shqipërinë”, shton Tilevi.

Shkupi zyrtar nuk vlerëson se duhet të shpejtojë kur bëhet fjalë për përmbushjen e obligimeve nga Propozimi Francez pa garanci të qarta nga Bullgaria. Por, Bullgaria prej vitesh ka pozicione të pandryshueshme dhe unanime kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut, edhe pse ka pasur qeveri dhe ambient politik të paqëndrueshëm. Që nga viti 2018, me deklaratën e miratuar nga Parlamenti i saj, kërkesat kanë mbetur të njëjta, pavarësisht nga ndryshimet e qeverive.

“Nuk pres që një konfigurim i ri politik, me Rumen Radev në rol qendror, ta ndryshojë thelbësisht pozicionin, edhe pse mund të ndryshojë retorika”, thotë Tilevi.

Një tjetër shpresë e Shkupit zyrtar nuk duket në horizont. Reforma brenda BE-së me këtë rast do të kishte kalim nga vendimmarrja me unanimitet në shumicë të kualifikuar brenda BE-së. Mundësia e shfrytëzimit të mekanizmit “passarella”, kur për një çështje vendoset të votohet edhe me shumicë të kualifikuar për të mos ndryshuar traktatin, rëndë se mund të përdoret për Ballkanin Perëndimor. As edhe marrja e së drejtës për një shtet anëtar që të votojë për një çështje të caktuar.

Qeveria e Mickoskit ka zbutur retorikën në muajt e fundit, duke kërkuar tashmë vullnet të mirë e jo garanci të forta nga Bullgaria. Ndërkohë në Bullgari thuajse nuk merren me Maqedoninë e Veriut. Të preokupuar me zgjedhjet e reja të parakohshme, autoritetet politike në Sofje thonë se çështja nuk është më bilaterale. Shkupi, sipas tyre, tashmë ka punë me Brukselin.

MIRË PËRPARA, PO KU GJENDET SAKTËSISHT SHQIPËRIA?

Shqipëria çeli zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 Tetor 2024, thënë ndryshe 31 vite që nga zhvillimi i zgjedhjeve të para pluraliste në vend. Thuajse një vit më pas, në shtator të vitit 2025 vendi ynë hapi negociatat për një nga grupkapitujt më të vështirë sipas ekspertëve të integrimit në BE, atë të Agjendës së Gjelbër dhe të Ndërlidhjes së qëndrueshme.

Në këtë grupkapitull bën pjesë dhe Kapitulli 27 i quajtur “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”, për të cilin, sipas përgjigjes zyrtare që Ministria e Turizmit i dha “Gogo.al” shteti shqiptar nuk ka pasur për të plotësuar detyra paraprake të vendosura nga Bashkimi Evropian.

“Bazuar mbi ecurinë e reformave legjislative dhe të zbatimit të legjislacionit mjedisor, Shqipëria nuk ka pasur piketa hapëse apo të ndërmjetme por vetëm piketa mbyllëse. Këto piketa mbyllëse janë dorëzuar zyrtarisht në muajin shtator 2025 pranë Komisionit Evropian dhe tani Shqipëria duhet të ndërmarrë reformat dhe investimet e nevojshme për përmbushjen e këtyre piketave”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit, duke treguar se Shqipëria ndodhet në fazën ku duhet të përshtasë legjislacionin dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të siguruar mbrojtjen mjedisore në vend, sipas standardeve të BE-së.

Zyrtarisht Shqipëria i ka hapur të gjitha grupkapitujt, por sipas ekspertit për integrimin në BE dhe drejtuesin e Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Gledis Gjipali mbyllja e kapitujve kryesore që lidhen me mjedisin dhe sigurinë ushqimore, mbetet e vështirë.

“Janë të vështirë për t’u mbyllur për faktin që kërkojnë investime të rëndësishme si nga institucionet shtetërore ashtu dhe nga bizneset dhe kapacitete të forta administrative për të garantuar zbatimin e standardeve të reja të vendosura”, thotë Gjepali për “Gogo.al”, ndërkohë që shton se sfidat kryesore të Shqipërisë mbeten problematikat e brendshme që lidhen me dialogun politik, lodhjen nga reformat e shumta te ndërmarra ndër vite dhe mungesa e qëndrueshmërisë në zbatimin e tyre.

“Në planin e jashtëm, mekanizmi i vendimmarrjes në BE dhe mundësia e përdorimit të vetos nga shtetet anëtare mbetet një rrezik potencial për vonesa”, shton Gjepali, i cili e konsideron mbylljen e negociatave të Shqipërisë në vitin 2027 si mjaft ambicioz, por jo të paarritshëm.

Në Shqipëri një nga projektet që po jep mbështetje të thelluar për përmbushjen e grupkapitullit 27 është “Sane27”, zëvendësdrejtues i së cilit është eksperti Rezart Kapedani.

Për Gogo.al Kapedani bën një shpjegim sintetik e të kuptueshëm se ku gjendet Shqipëria, çfarë duhet të plotësojë, pengesat por edhe një parashikim se kur mund të jetë plotësisht e suksesshme.

“Shqipëria ka pasur një ecuri të mirë në lidhje me Kapitullin 27 “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”. Sidoqoftë duhet pasur parasysh që me metodologjinë e re të zgjerimit, nuk negociohet në nivel kapitulli por në nivel grupkapitulli kështu që ecuria e procesit lidhet dhe me kapitujt e tjerë të Grupkapitullit 4 (kryesisht transporti dhe energjia).”, bën vlerësimin e tij Kapedani.

Sipas tij një nga vështirësitë më të mëdha është që kapitulli është shumë voluminoz.

“Kapitulli 27 vetëm si akte kryesore të Acquis që do të monitorohen ka 10 nënkapituj me 75 akte (46 direktiva dhe 29 rregullore) dhe nëse merren dhe aktet zbatuese të tyre numri i kalon 400 aktet. Për më tepër nga këto 75 akte, 12 janë të katër viteve të fundit. Sektori i mjedisit po ashtu, tradicionalisht nuk ka pasur financime të mjaftueshme për të arritur standardet evropiane kështu që tani do të kërkohet një “hop” i madh cilësor në lidhje me përmirësimin e legjislacionit shqiptar si dhe zbatimit të tij në terren. Kjo nuk përkthehet vetëm tek detyrimet ndaj qytetarëve por dhe detyrime që lindin për bizneset dhe pushtetin vendor.”, thekson Kapedani.

Në këndvështrimin e Kapedanit edhe pse Shqipëria ka bërë përpjekje prej rreth 20 vitesh për përafrimin e legjislacionit dhe standardeve me BE-në, tani kërkohet një ritëm më i shpejtë reformash.

Eksperti rendit pikat kryesore ku do të duhet të përparohet mes të cilave rishikimi i Kodit Penal në mënyrë që dispozitat për krimin mjedisor të jenë në përputhje me ato të Direktivës së re si dhe plotësohen detyrimet për përgjegjësinë mjedisore, të rishikohet ligji i ajrit dhe aktet nënligjore përfshirë strategjinë dhe planin e veprimit në mënyrë që Shqipëria të përputhet me standardet e reja të cilësisë së ajrit të BE-së si dhe të plotësohen me akte nënligjore ligji për mbetjet dhe përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit apo rishikimi i  strategjisë dhe masterplanit të mbetjeve bazuar dhe me strukturën e re të menaxhimit të mbetjeve.

“Do plotësohen të gjitha basenet lumore me planet e menaxhimit të tyre dhe pjesa më e madhe dhe me hartat e përmbytjeve dhe planet e masave. Do përgatitet strategjia për ujërat detare dhe plani i masave për monitorimin e tyre. Do rishikohet ligji i lejeve të mjedisit sipas ndryshimeve të direktivës dhe hartohet një ligj i ri në lidhje me aksidentet industriale kur ka kimikate të rrezikshme si dhe do përgatiten dokumente të reja planifikuese në lidhje me ndryshimet klimatike që përmbajnë objektiva në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së dhe përshtatjen me ndryshimet klimatike”, shton më tej Kapedani.

Në parashikimin e tij eksperti që po ndihmon përparimin e Shqipërisë sa i përket mjedisit dhe ndryshimeve klimatike nënvizon se kuadri ligjor pritet të përfarohet brenda dyvjeçarit të ardhshëm.

“…ndërkohë brenda vitit 2030 parashikohen të plotësohen dhe aspektet kryesore të zbatimit që mundësojnë futjen në BE brenda vitit 2030. Kuptohet që në lidhje me mjedisin Republika e Shqipërisë do të negociojë disa periudha kalimtare për direktivat, zbatimi i të cilave kërkon investime dhe standarde që shkojnë përtej vitit 2030.”, e mbyll shpjegimin e tij Kapedani.

MIDIS NDOTJES DHE VËSHTIRËSISË PËR PËRAFRIMIN ME LIGJET E BE-SË

Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) dhe raportit të publikuar në vitin 2025 nga Health Effects Institute (State of Global Air, 2025) ndotja e ajrit është një nga problematikat serioze, të cilat përbëjnë një tregues domethënës për shëndetin publik që duhet të adresohet.

Sipas raportit “State of Global Air 2025” gjatë vitit 2023 në Shqipëri janë regjistruar 2300 vdekje, arsyet e të cilave lidhen ngushtë me ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit, duke bërë që shkalla e vdekshmërisë në vendin tonë për këtë shkak të jetë 56 vdekje për 100 000 banorë. Thënë ndryshe, 3 herë më shumë se mesatarja e BE-së që është 21 vdekje për 100 000 banorë.

Ndërkohë, sipas EEA-së, bazuar dhe në monitorimet e ajrit të realizuara ndër vite dhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit në Shqipëri, rezulton se transporti rrugor është një nga shkaktarët kryesor të rritjes së nivelit ttë dioksidit të azotit (NO₂) dhe të grimcave të imëta me diametër 10 μm ose më pak (PM10), në qytetet e vendit.

Megjithatë, ulja e ndotjes së ajrit nuk është e vetmja problematikë që Shqipëria duhet ta zgjidhë për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Sipas përgjigjes zyrtare të Ministrisë së Mjedisit, vendi ynë po përballet me vështirësi në përafrimin me legjislacionin evropian.

“Vështirësitë janë të mëdha si përsa i përket numrit të madh të akteve ligjore (Acquis) që ka nevojë të përafrohen në legjislacionin shqiptar, nivelit të investimeve që kërkohet të zbatohen për të përmbushur standardet evropiane, si dhe ndryshimi i shpejtë i legjislacionit evropian në fushën e mjedisit”, thuhet në përgjigje, ndërkohë që shtohet se në fushën e zbatimit problematikat shtrihen në fusha të ndryshme të mjedisit.

“Shqipëria ka disa impiante të trajtimit të ujërave të përdorura urbane, por është ende larg standardeve që kërkohen në kuadër të arritjes së standardeve evropiane”, thuhet në përgjigje, ndërkohë përsa i përket menaxhimit të mbetjeve, ministria përgjigjet se brenda vitit 2027 do të hartohet një strategji me plane masash në mënyrë që dhe ky sektor të jetë në përputhje me standardet e BE-së.

Krahas ndryshimeve ligjore, në Shqipëri vazhdon të mbetet sfidues dhe numri i personave që shkelin ligjin duke shkatërruar mjedisin dhe monumentet natyrore. Sipas përgjigjes zyrtare që Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Mjedisit i vendosi në dispozicion “Gogo.al”, numri i subjekteve që shkelin ligjin shkon nga 100-150 në vit, prej të cilëve 55%-66% i kryejnë këto shkelje në zonat industriale.

“Sa i përket natyrës së shkeljeve të konstatuara, në rreth 60% të rasteve ndotja është shkaktuar nga keqmenaxhimi i mbetjeve të parrezikshme dhe të rrezikshme, në rreth 20% të rasteve nga ndotja e ajrit, në rreth 25% të rasteve nga shkarkime të ujërave të ndotura urbane dhe industriale të patrajtuara në mjedisin pritës ujor dhe/ose tokësor, ndërsa në rreth 5% të rasteve është konstatuar ndotje akustike, fenomen ky më i theksuar në zonat urbane të banuara”, thuhet në përgjigjen zyrtare të IKMT-së.

Shënim: Ky artikull është prodhuar në kuadër të Rrjeteve Tematike të PULSE, një nismë evropiane që mbështet bashkëpunimet gazetare transnacionale.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gogo.al