
Nga Eduard Halimi
Kur dëgjova para disa ditësh se për hartimin e ndërhyrjes urgjente të nenit 242 po merrej një ekip juristësh italo-grekë, mu duk ide interesante. Kur ke një hall të madh në derën e shtëpisë (dhe halli nuk është i vogël se nuk firmos më njeri në qeveri) pret profesorët më të mirë ta zgjidhin.
Java filloi me dy lajme nga drejtësia.
Lajmi i parë: Gjykata e Lartë shpërndau një leksion të Kryetarit të saj që ngrinte një nga problemet më të rënda të sistemit: (ndoshta në Top5) paraburgimi.
Ishte realist, bindës, profesional. Shpresoj që çdo gjyqtar ta lexojë. Por që të zgjidhet ky problem i rëndë në mentalitetin e gjykatave më të ulëta, nuk mjafton leksioni. Gjykata e Lartë ka mundësi të nxjerrë Vendim Unifikues dhe çështja merr rrugë menjëherë. Por më pëlqeu artikulli, të jem i sinqertë.
Lajmi i dytë: qeveria me nismën e saj ad hoc për nenin 242 të KPP të cilën do ta bënin me “ekipin italo-grek”. Prisja që ata të ishin në prezantim. Doli në fakt vetëm Ulsiu. Jo se Ulsiu nuk ka përvojën dhe formimin e nevojshëm. Ai ka qenë dhe mbetet për mua jurist i mirë e prokuror profesionist. (Për vlerësimin si politikan apo ministër nuk hyj se do isha në konflikt interesi dhe aspak objektiv)
Por prisja me interes lidhjen e problemit emergjent qeveritar me këto vende perendimore. Në fakt, e vetmja gjë që e lidh këtë nismë ad hoc me Italinë dhe Greqinë janë dy nene: Neni 96 i Kushtetutës italiane dhe Neni 86 i Kushtetutës greke. (Shih foton b/ngjitur). Të dy flasin për mbrojtjen totale të ministrave nga hetimi penal me autorizim paraprak parlamentar. Asnjëri nuk flet për mbrojtje nga pezullimi gjyqësor. E kotë ta kërkosh në Kushtetutën gjermane, franceze apo në Kodet e Procedurës Penale të këtyre vendeve. Nuk ekziston.
Pezullimi atje (por edhe në historinë tonë 20 vjeçare) është akt politik sa herë një anëtar i kabinetit dyshohet për vepra të rënda penale. E merr Kryeministri. “Halli” që kemi ne është se Kryeministri ynë e ka refuzuar tre herë këtë akt politik siç deklaroi në fillim të javës. Dhe jo vetëm që nuk do ta bëjë me vullnet, (nuk di çfarë do bëje me masën më të rëndë që kërkon SPAK) por pezullimin kërkon ta kundështojë me ligj, duke krijuar një iluzion për ministrat se nuk do preken nga prokuroria ndaj le të firmosin. Problemi është se Kushtetuta nuk e ka këtë mbrojtje. Dhe jo vetëm kaq: 4 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese i kanë thënë qartë se duhet ndryshim kushtetues, jo ligjor (shih shkurtimin e vendimit të nënvizuar).
Të dyja lajmet më sipër derivojnë në kritika ndaj sistemit të drejtësisë, i pari më i butë në drejtim të paraburgimit si një nga problemet Top5 sot dhe i dyti më agresiv drejt kontrolleve të Spak natën e vitit të ri, abuzimit me pushtetin e republikës së prokurorëve dhe një listë kafshësh orwelliane që hyjnë e dalin..
Konteksti kushtetues në Shqipëri, shkurt 2026
Imuniteti i ministrave dhe deputetëve rregullohet nga Neni 73 i Kushtetutës (ndryshuar në 2012). Pas atij ndryshimi, imuniteti është shterues: mbrojtje nga arrestimi pa autorizim parlamentar, por asnjë fjalë për mbrojtje nga ndjekja penale apo nga pezullimi i funksionit nga gjykatat.
Vendimi i shkurtuar i Gjykatës Kushtetuese e thotë qartë: katër gjyqtarë thanë “nëse doni mbrojtje nga pezullimi, duhet të ndryshoni Kushtetutën”. Një prej tyre ishte ekspert draftues i reformës së 2012-ës kontraktuar nga PACA (KiE. Ai e di mirë: imuniteti është rregulluar shterueshëm.
Por lajmi është neni 242 i KPP ku qeveria kërkon të ndalojë SPAK/GJKKO të pezullojë ministrat/KM etj në rast se akuzohen për vepra të rënda penale (nënkupto korrupsion) dhe diskutimi publik në kontekstin kushtetues është efikasiteti dhe mundësia për të arritur qëllimin qeveritar.
Hierarkia e normave dhe iluzioni rreth nenit 242
Kushtetuta është norma hierarkike më e lartë në Republikën tonë. Kodi i Procedurës Penale nuk mund të krijojë një imunitet të ri që Kushtetuta nuk e njeh. Nëse neni 242 synon të ndalojë pezullimin e ministrit si masë sigurimi, ndërkohë që Kushtetuta nuk njeh imunitet të tillë, atëherë kemi përplasje mes ligjit të zakonshëm dhe normës kushtetuese. Në një shtet të së drejtës, në rast përplasjeje midis ligjit të zakonshëm dhe Kushtetutës, norma kushtetuese prevalon dhe çdo gjykatë është e detyruar ta zbatojë atë ose eventualisht mund të kërkojë kontroll incidental në Gjykatën Kushtetuese ku e presin 4 gjyqtarët më sipër. Nuk besoj se një ndërhyrje ligjore që krijon pritshmëri të reja proceduriale për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të ndryshojë arsyetimin e tyre të mëparshëm (shih zgjerimin e rrethit të subjekteve perfitues nga drafti ad hoc qeveritar). Pasi edhe për ta vlen i njëjti arsyetim: Çdo privilegj duhet të shkruhet qartë në Kushtetutë dhe të mbrohesh me nenin 242 të KPP është iluzion.
Drejtësia jonë dhe pellgu i Europës Lindore, modeli klasik
Debati rreth nenit 242 nuk ka lidhje me Italinë, Francën apo Gjermaninë. Ky debat është modeli që përsëritet në Europën Lindore: drejtësia quhet “e pavarur, e fortë, model europian” kur godet opozitën ose ish-pushtetarët. Sapo prek pushtetin aktual ministra, kryetarë bashkish, drejtorë, njerëz të oborrit, bëhet menjëherë “problematike”, “e çmendur”, “deep state”. Atëherë vijnë “reformat urgjente” për ta frenuar.
Është fakt që Spak po bën një punë të mirë në luftën ndaj organizatave kriminale, zbërthimit të SkyEncrochat, bashkëpunimit penal ndërkombëtar, korrupsionit të lartë në disa sektorë, pa përjashtuar këtu edhe dobësitë apo kritikat rreth hetimeve apo dështimeve.
Por Shqipëria po ndjek të njëjtin klishe klasike që kemi parë rreth nesh:
1.Në Rumani, pasi DNA vendosi nën akuzë më dhjetëra ministra, rreth 50 deputetë e qindra kryetarë bashkish, Liviu Dragnea (Kryeministri) sulmoi hapur drejtësinë në vitin 2017 me dekretin OUG 13, duke u përpjekur të dekriminalizonte korrupsionin dhe të kufizonte DNA-në : drejtësia u quajt “e çmendur” sapo filloi të godiste pushtetin.
2.Në Poloni, pas vënies nën akuzë të më shumë se 62 zyrtarëve të lartë të PiS, qeveria PiS e Mateusz Morawiecki-t sulmoi sistemin gjyqësor midis 2020-2023 me paketa ligjore që kontrollonin Gjykatën Supreme dhe krijonin dhoma disiplinore ; drejtësia u etiketua “e politizuar nga opozita” sapo preku pushtetin.
3.Në Sllovaki, kur Prokuroria Speciale vendosi nën akuzë mbi 130 persona të lidhur me administratën qeveritare dhe ngriti akuzë ndaj vetë kryeministrit dhe ministrit të mbrojtjes. Robert Fico në vitin 2023 kërkoi të shfuqizojë Prokurorinë Speciale dhe ulë dënimet për korrupsion: drejtësia u bë “e kontrolluar nga jashtë” kur filloi të godiste aleatët e qeverisë.
4.Në Sërbi, ku Presidenti Aleksandër Vuçiç ka kontroll të fortë mbi institucionet, Prokuroria Speciale për Krimin e Organizuar ka filluar hetime kundër disa ministrave të lartë (përfshirë një ministër aktual dhe dy ish-ministra) në 2025-2026. Përgjigja e pushtetit ka qenë e menjëhershme: në 30 janar 2026 u miratuan reforma gjyqësore që dobësojnë prokurorinë e organizuar kriminale dhe forcojnë kontrollin politik mbi gjyqësorin, sërish i njëjti model klasik.
5.Në Shqipëri 40 nga 61 kryetarë bashkie kanë dosje aktive në SPAK, dhjetra ministra, ish ministra dhe deputetë, zyrtarë të lartë, po ashtu janë dënuar ose janë në hetim dhe qeveria ka hapur betejë pas fillimit të hetimeve dhe kërkesës pë arrest të zv.kryeministres shoqëruar me 16.000 faqe dokumente. Ky është cikli klasik: drejtësia është “europiane dhe e jashtëzakonshme” derisa prek pushtetin, pastaj vijnë paketa emergjente dhe ajo bëhet ashtu siç u përshkrua në fillim të javës nga qeveria.
Pasojat në këto shtete dhe reagimi qytetar dhe ndërkombëtar?
Mund ti lexoni lehtësisht në google ose pyesni ChatGPT ose GROK por nuk dua të ndalem ketu sot.
Problemi real i drejtësisë në 2026.
Shkolla e Magjistraturës u krijua në 1997 dhe unë isha nga të parët që u përfshiva duke e mbështetur gjatë atë, deri para 2-3 vjetësh. Deri në 2002 nuk kishte profile të ndara, gjyqtar/prokuror. U bë shumë mirë që u krijua profilizimi. Kjo sepse gjyqtari dhe prokurori kanë mindset (mentalitet) tërësisht të ndryshëm dhe ndarja duhet të bëhet që në gjenezë, në formim.
Kam shumë miq kolegë nga të dyja profilet. Kam respekt për shumë nga prokurorët e zakonshëm dhe ata të SPAK, burra dhe gra që përballen çdo ditë me punën e vështirë dhe presionin në rritje nga krimi dhe subjektet e lidhura me të.
Por e them nga eksperienca ime 30-vjeçare: prokurorë “armiq” me qeverinë ka pasur, ka dhe do të ketë. Dhe kjo është normale. Qeveria ka tendera, ka para, ka leje, ka hapësirë për korrupsion (jo opozita) dhe padyshim që roli i prokurorit është të luftojë kundër tyre. Operacione, fushata kundër krimit e korrupsionit nga prokurorët (ndoshta edhe devijante apo delirantë) ka pasur, ka, dhe do të ketë. Nuk është ky problemi real.
Problemi real nuk është as edhe se kemi prokurorë në Tiranë e në rrethe që duan t’i ngjajnë SPAK-ut dhe delirojnë, por se kemi gjykata të nënshtruara që firmosin çfarë u sjell prokurori, që as nuk i lexojnë faqet e kërkesës por vetëm dispozitivin dhe e pranojnë atë. Problem është që kemi gjyqtarë që vendimin e marrin me USB nga prokurori.
Problemi real që kemi pra, është : ndarja e reale e prokurorisë nga gjykata. Ky është problemi si për lajmin e parë, shqetësimin e Kryetarit të GJL për paraburgimet si zgjidhje e parë por edhe për lajmin e dytë, “hallin” e qeverisë. Sepse as të parin dhe as të dytin nuk e cakton prokurori. E cakton gjykata. Dhe në rastet kur gjykata vendos çfarë kërkon prokurori apo bëhet noter i prokurorisë, kjo krijon problem.
Dhe kjo ndodh, sepse besohet gjerësisht se gjyqtarët përgjohen nga prokurorët e Spak, nga SHISH apo edhe nga prokurorët e rretheve. Dhe kjo dyshohet se ndodhi edhe në Gjykatën e Lartë në votimin e çuditshëm për antar të GJK, ku gjyqtari mezi fitoi përballe askushit që çuditërisht morri vota ndoshta falë këtij shantazhi. Por kjo dyshohet se ndodh edhe në Gjykatën Kushtetuese, edhe në çdo gjykatë sa herë që një prokuror i pëshpërit gjyqtarit, ndoshta edhe duke spekulluar, se ka “disa info” nga përgjimet e shërbimeve (përfshi SHISH).
Këtu pra, këtu perëndon drejtësia edhe pse ka ende pak gjyqtarë kurajozë që i qëndrojnë, shantazhit apo spekulimit me përgjime.
Problemi real që kemi është se ne I kemi zhveshur gjyqtarët nga imuniteti dhe ata jane lehtësisht të përgjueshëm dhe të shantazhueshëm.
Dhe po, ka një zgjidhje të qartë për të ndaluar këtë rrëshqitje: ndarja reale e prokurorisë nga gjykata dhe kthimi i një imuniteti funksional, të kufizuar dhe të balancuar për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe GJKKO-së.
Jo imunitet absolut, por mbrojtje nga përgjimet e pakontrolluara të prokurorëve. Sepse një gjyqtar i shantazhuar është rrezik ekzistencial për republikën parlamentare. Debati nuk është për privilegje personale, apo për paprekshmëri të gjyqtarëve, por për ekuilibër kushtetues.
Sot një gjyqtar i Gjykatës së Lartë apo i Gjykatës Kushtetuese mund të përgjohet, ndalohet apo hetohet nga e njëjta prokurori që është palë në proces para tij, pa filtra të posaçëm. Kjo krijon një pabarazi reale armësh dhe një klimë frike që rrezikon lirinë e vendimmarrjes. Pavarësia e gjyqtarit nuk është privilegj personal, nuk është kërkesë që të bëhen të paprekshëm, por garanci kushtetuese për qytetarin që gjykohet prej tij. Ne duhet të pranojmë një të vërtetë të thjeshtë: një gjyqtar që mund të përgjohet nga pala që ai gjykon, nuk është i lirë. Dhe pa gjyqtar të lirë, nuk ka shtet të së drejtës për qytetarin.
Korrupsioni në drejtësi ekziston dhe është në rritje padyshim. Drejtësia nuk është eficente sic shkruan me të drejtë DW para një jave. Por përgjimi, shantazhi nuk e ul korrupsionin, por e institucionalizon. Dhe kjo kërkon reformë serioze kushtetuese, jo arnim ad hoc..
E di që duhet vullnet i fortë politik, 93 vota. E di që sot duket e pamundur. Por një ditë ama, duhet bërë. Kur të bëhet, do zgjidhet edhe problemi i madh. Deri atëherë do vazhdojmë të endemi në labirintet kushtetuese, duke u mashtruar me iluzionin e lumturisë së nenit 242 se disa janë më të barabartë se të barabartët e tjerë para ligjit.
Vendi nuk ka nevojë për iluzione imunitetesh rreth nenit 242 por të zgjidhë disa nga 242 problemet që drejtësia ka sot. Ai ka nevojë të shohë nga Europa Perendimore për një drejtësi europiane në formë dhe në substancë.
Dhe për këtë, rolin e ka Parlamenti, sepse gjyqësori nuk ka forcë për rezistencë pa një mbështetje të fortë sociale dhe ndërkombëtare.