
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë mirëpret sot Ministerialin e Korridorit VIII, një takim i nivelit të lartë që synon të avancojë bashkëpunimin strategjik në fushën e ndërlidhjes, qëndrueshmërisë dhe integrimit rajonal.
Sesioni ministror zhvillohet në Pallatin e Brigadave dhe drejtohet nga ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali. Në këtë ministerial marrin pjesë delegacione të kryesuara nga Antonio Tajani, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme i Italisë; Timčo Mucunski, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut; Oana-Silvia Țoiu, ministre e Punëve të Jashtme e Rumanisë; si dhe Nikolay Pavlov, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Bullgarisë.
Diskutimet fokusohen në avancimin e Korridorit VIII si një bosht strategjik për ndërlidhjen europiane, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal. Një vëmendje e veçantë i kushtohet rolit të tij në rritjen e qëndrueshmërisë, mobilitetit ushtarak dhe ndërveprueshmërisë mes Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Ministeriali është strukturuar në katër panele. Dy panelet e para trajtojnë vizionin politik mbi prioritetet europiane për zhvillimin ekonomik dhe rolin e Korridorit VIII si katalizator i ndërlidhjes së qëndrueshme dhe rritjes së gjelbër. Paneli i tretë i kushtohet dimensionit gjeopolitik të këtij korridori, ndërsa paneli i fundit fokusohet në çështjet e financimit dhe mbështetjes konkrete për realizimin e projekteve përkatëse.
Korridori VIII konsiderohet një nga projektet kyçe infrastrukturore që lidh Adriatikun me Detin e Zi, duke forcuar lidhjet mes vendeve të rajonit dhe duke rritur rëndësinë strategjike të Shqipërisë në hartën e ndërlidhjes europiane.