
Më 17 shkurt 2008, në orën 15:39, Kosova shpalli Pavarësinë në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku morën pjesë 109 nga 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli vendin shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Shpallja u krye nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, së bashku me deputetët dhe presidentin, sipas rekomandimeve të dërguarit special të OKB-së, Martti Ahtisaari.
Me ngritjen solemne të flamurit të Republikës së Kosovës mëngjesin e kësaj të marte, nisën ceremonitë për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë. Flamuri u ngrit në oborrin e Qeverisë së Kosovës, në praninë e krerëve më të lartë të shtetit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Presidentja Osmani e konsideroi këtë ditë si një moment reflektimi dhe krenarie, duke nderuar sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kryeministri Kurti theksoi përparimin e vendit në forcimin e institucioneve dhe zhvillimin e ekonomisë, ndërsa kryeparlamentarja Haxhiu kujtoi me nderim të gjithë ata që dhanë jetën për pavarësi. Në ceremoninë zyrtare u përmendën edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Kurti nënvizoi se shpallja e Pavarësisë nuk mund të përkujtohet pa nderuar kontributin e secilit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përgëzoi Kosovën për 18-vjetorin dhe rikonfirmoi mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, duke theksuar pjesëmarrjen e Kosovës në iniciativën e tij, Bordi i Paqes. Mesazhe urimi kanë dërguar edhe mbreti Charles III, presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti italian Sergio Mattarella, duke përshëndetur miqësinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar me Kosovën.
Shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008 ishte kulmi i një rrugëtimi të gjatë të popullit shqiptar në Kosovë, i ndarë padrejtësisht në Konferencën e Londrës më 1912 dhe i ekspozuar ndaj spastrimit etnik nga regjimi i ish‑Jugosllavisë, që çoi në Luftën Çlirimtare 1997–1999. Pas luftës, vendi u administrua nga UNMIK dhe institucionet vetëqeverisëse. Procesi për statusin përfundimtar të Kosovës nisi në nëntor 2005, ndërsa propozimi i Martti Ahtisaarit më 2 shkurt 2007 çoi drejt shpalljes së shtetit të pavarur. Pas shpalljes, vendet anëtare të BE-së vendosën në mënyrë individuale njohjen e Kosovës, ndërsa pesë shtete ende nuk e njohin.
Në Hagë po vijon gjyqi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit. Prokuroria Speciale ka kërkuar 180 vite burg në total për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin (45 vite secili). Në mbështetje të ish-krerëve, platforma “Liria ka Emër” ka thirrur protestë sot në Prishtinë, ku pritet të marrin pjesë edhe figura të larta shtetërore.