
Kabineti qeveritar i Izraeli miratoi të dielën një paketë masash të reja që synojnë forcimin e kontrollit mbi Bregu Perëndimor dhe lehtësimin e procedurave për blerjen e tokës nga kolonët izraelitë, një zhvillim që pala palestineze e ka cilësuar si “aneksim de-facto”.
Bregu Perëndimor përbën një nga territoret që palestinezët e konsiderojnë thelbësor për krijimin e një shteti të ardhshëm të pavarur, por pjesa dërrmuese e tij mbetet nën administrim ushtarak izraelit, ndërsa në disa zona ushtrohet një vetëqeverisje e kufizuar nga Autoriteti Palestinez, i mbështetur nga Perëndimi.
Kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili pritet të përballet me zgjedhje më vonë gjatë këtij viti, e ka konsideruar krijimin e një shteti palestinez si kërcënim për sigurinë kombëtare.
Koalicioni i tij qeverisës, që gëzon mbështetje të konsiderueshme në mesin e kolonëve, përfshin figura që kërkojnë aneksimin formal të Bregut Perëndimor, territor i pushtuar nga Izraeli gjatë luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967 dhe mbi të cilin shteti izraelit pretendon lidhje biblike dhe historike.
Ministrat votuan për nisjen e një procesi regjistrimi të tokës për herë të parë që nga viti 1967, vetëm një javë pasi kishin miratuar masa të tjera në Bregun Perëndimor që shkaktuan reagime dhe dënime ndërkombëtare.
Ministri i Financave nga krahu i djathtë, Bezalel Smotrich, deklaroi se po vijojnë atë që ai e quajti revolucion i vendbanimeve dhe forcim i kontrollit në të gjitha pjesët e territorit. Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, e përshkroi regjistrimin e tokës si një hap thelbësor për sigurinë.
Në një deklaratë zyrtare, kabineti argumentoi se masa përbën “një përgjigje të përshtatshme ndaj proceseve të paligjshme të regjistrimit të tokës të nxitura nga Autoriteti Palestinez”, ndërsa Ministria e Jashtme theksoi se kjo nismë do rrisë transparencën dhe do kontribuojë në zgjidhjen e konflikteve pronësore.
Presidenca Palestineze e dënoi vendimin, duke e cilësuar si aneksim de-facto të territorit të pushtuar dhe si sinjal për nisjen e planeve që synojnë konsolidimin e pushtimit përmes zgjerimit të vendbanimeve, të konsideruara të paligjshme nga pala palestineze.
Organizata izraelite Peace Noë, e cila monitoron aktivitetin e vendbanimeve, paralajmëroi se procesi i ri i regjistrimit mund të çojë në shpronësimin e palestinezëve nga afërsisht gjysma e Bregut Perëndimor, shkruan Reuters.
Nga ana tjetër, Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se nuk mbështet aneksimin formal të Bregut Perëndimor nga Izraeli, megjithëse administrata e tij nuk ka ndërmarrë hapa për të frenuar përshpejtimin e ndërtimit të vendbanimeve
Ndërkohë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, organi më i lartë gjyqësor i Kombet e Bashkuara, në një opinion këshillues të vitit 2024 ka vlerësuar se pushtimi izraelit i territoreve palestineze dhe vendbanimet e ngritura atje janë të paligjshme dhe duhet të marrin fund sa më shpejt, qëndrim ky i kundërshtuar nga Izraeli.