Vendosni fjalën kyçe....

Vakancat në Bankën Kombëtare, Zaçaj, Xhepa e Shehu “marrin bekimin” e PS-së


Ish-drejtuesja e Gjykata Kushtetuese, Holta Zaçaj, pedagogia e Fakultetit Ekonomik Matilda Shehu dhe ish-përgjegjësi ekonomik në Departamentin e Kërkimit pranë Banka e Shqipërisë, Selami Xhepa, janë tre emrat që janë vetëkandiduar për t’u bërë pjesë e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe që kanë siguruar mbështetjen e grupit parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë.

Report TV bën me dije se ky vendim është marrë gjatë mbledhjes së grupit të PS-së të zhvilluar këtë të hënë.

Nga kjo përzgjedhje mbetet jashtë Luljeta Minxhozi, e cila kishte shprehur interes për një mandat të dytë në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Minxhozi është emëruar anëtare në vitin 2018 dhe ka ushtruar gjithashtu detyrën e zëvendësguvernatores së parë të bankës qendrore.

Aktualisht, në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë numërohen 6 vende vakante, por Kuvendi ka hapur procedurën vetëm për 3 prej tyre, ndërsa tre kandidaturat e tjera do të paraqiten nga qeveria.