
Nga Romina Kuko
Historia nuk vjen me zhurmë. Ajo shfaqet si mjegull, fillimisht si një krisje e lehtë në mur, si një heshtje e zgjatur që askush nuk di ta emërtojë. Kur e kupton se ka ardhur, zakonisht është vonë. Sot jemi pikërisht në këtë çast: një epokë po largohet pa u shpallur, ndërsa tjetra endet ende pa emër, pa rregulla dhe pa premtime. Një botë po mbyllet, por dera e së resë nuk është hapur ende.
Në librin e tij Bota e së djeshmes, Stefan Cvajg përshkroi fundin e një qytetërimi që kishte besuar se kishte shpëtuar nga historia. Një Europë e bindur se racionaliteti kishte fituar betejën përfundimtare, se lufta ishte bërë anakronizëm, se progresi ishte ligj natyror. Tragjedia e asaj bote nuk qëndronte te idealizmi i saj, por tek bindja se ai qytetërim ishte i përhershëm, se kishte kaluar përtej rrezikut.
Tragjikisht, historia na mëson se asgjë nuk është më e rrezikshme se një qytetërim që beson se është përfundimisht i sigurt.
Një shekull më vonë, ne po jetojmë variantin tonë të asaj bote që po largohet. Sot, “bota e së djeshmes” nuk është më Europa para Luftës së Parë Botërore, por rendi ndërkombëtar i pas Luftës së Ftohtë. Është epoka e multilateralizmit liberal, e besimit se tregtia do të zëvendësonte konfliktin, se institucionet do të disiplinonin fuqinë. Ekonomia do të ishte gjithmonë levë më e fortë se politika dhe se gjeopolitika do zëvendësohej nga impulset e teknologjisë. Por gjeopolitika nuk zhduket kurrë. Ajo vetëm hesht, duke pritur momentin e vet.
Për rreth tri dekada, bota funksionoi mbi një marrëveshje të pashkruar: fuqia e fortë do të qëndronte në hije, ndërsa fuqia e butë do të sundonte diskursin. Institucionet shumëpalëshe u shndërruan në katedrale të rendit global. NATO dhe Bashkimi Evropian më shumë se aleanca ishin garantë. OKB, me gjithë paradokset e saj, ishte vendi ku edhe armiqtë detyroheshin të flisnin duke parë njëri-tjetrin në sy. Ekonomia globale u ndërtua si një rrjet aq i ndërlikuar, sa lufta dukej jo vetëm e pamoralshme, por irracionale.
Ndoshta ishte periudha më e mirë që kemi njohur. Jo sepse ishte e drejtë në çdo detaj, por sepse ishte e parashikueshme. Dhe parashikueshmëria është forma më e lartë e sigurisë. Për 25 vite solide, që nga rënia e Murit të Berlinit deri rikthimin e çizmes së parë ruse në Krime, rendi botëror dukej sikur ishte shkruar në gur, aq sa mendimtarë shkuan deri aty sa shpallën fundin e historisë pra fundin e luftrave. Sot, kjo botë po shpërbëhet nën peshën e tre forcave.
E para, është rikthimi brutal i politikës së fuqisë. Shtetet flasin sërish me gjuhën e interesit të zhveshur, të territorit dhe forcës. Lufta në Ukrainë ishte një çarje në vetë idenë e rendit pas vitit 1945. Lufta e parë në kontinentin europian pas afro 80 vitesh dëshmoi se kufijtë ende kërcënohen të lëvizen me tanke, se historia nuk ka pranuar të mbyllet dhe se siguria nuk është një shërbim që delegohet pafundësisht.
Këtë e kuptuan edhe ata që për dekada kishin folur gjuhën e stabilitetit financiar. Në Davos, Kryeministri i Kanadasë Mark Carney e tha qartë në fjalimin e tij epokal: epoka e efikasitetit ka përfunduar; ka hyrë epoka e sigurisë. Ekonomia globale nuk mund të sillet më sikur politika është zhurmë në sfond. Neutraliteti ekonomik është bërë iluzion dhe tregjet, si shtetet, janë futur në logjikën e mbijetesës.
E dyta është copëtimi i rendit global. Multilateralizmi universal po zëvendësohet multipolariteti,pra pole fuqish që konkurrojnë me njëra-tjetrën si dhe nga minilateralizmi pra nga rrethe më të vogla besimi, nga aleanca të përkohshme, nga marrëveshje që jetojnë aq sa interesat që i mbajnë gjallë. Institucionet që dikur prodhonin stabilitet sot janë berë pengesë dhe prodhojnë bllokim. Rregullat dikur universale janë bërë selektive dhe vetot kanë zë më të lartë se rezolutat. Dhe një botë me rregulla të shumëfishta është gjithmonë një botë në prag përplasjeje.
Alexander Stubb, Presidenti i Finlandës, në analizën e tij për Foreign Affairs, e përkufizon këtë epokë si kohë të konkurrencës sistemike, ku demokracitë dhe autokracitë nuk përplasen më vetëm për territore, por për mënyrën se si organizohet vetë rendi botëror. Më tepër se sa rivalitet fuqish, kjo duhet kuptuar si përplasje modelesh, një përplasje në të cilën neutraliteti është mungesë pozicioni, jo më qëndrim moral.
E treta, është shndërrimi i gjithçkaje në armë politike. Energjia është kthyer në mjet presioni dhe nuk është më vetëm mjet shkëmbimi, teknologjia mjet dominimi dhe jo progresioni, aty ku dikur sundonte logjika e zhvillimit ekonomik, sot sundon logjika e sigurisë. Ndryshim epoke.
Gjeopolitika (kupto: fuqia, sovraniteti, kufijtë) kthehet gjithmonë në çastin kur e ke harruar plotësisht. Bota e së djeshmes e harroi, harroi luftën e brezave të mëparshëm për të garantuar sovranitetin e vendeve të tyre. Duke harruar si është të jetosh pa asnjë rrezik, në zonë sigurie të plotë si ajo që ofronte multilateralizmi dhe liberalizmi, u besua se varësia ekonomike do të prodhonte përgjegjësi morale dhe se integrimi do të sillte konvergjencë politike. Por si përherë historia, doli më cinike se teoritë tona. Autokracitë mësuan të përdorin globalizimin pa u transformuar. Demokracitë mësuan, me vonesë, se tregtia nuk garanton paqe.
Megjithatë, ta shpallësh multilateralizmin një gabim do të ishte një akt edhe më i rëndë i një amnezie historike. Ai ishte rendi më i mirë që kemi ndërtuar ndonjëherë. Ai uli varfërinë, zgjeroi horizontet dhe për herë të parë u dha shteteve të vogla një ndjesi se nuk ishin thjesht statistë në lojën e të mëdhenjve. Dështimi nuk ishte te sistemi. Dështimi ishte te bindja jonë se sistemi do të mbijetonte pa mbrojtje.
Siç paralajmëron edhe Stubb, demokracitë gabuan duke besuar se normat zëvendësojnë fuqinë. Në fakt, normat mbijetojnë vetëm kur mbështeten nga kapaciteti për t’i mbrojtur sepse asnjë rend nuk mbijeton vetëm duke u mbështetur në kujtime.
E ardhmja nuk duket se do të jetë rikthim nostalgjik në botën e së djeshmes. Por as errësirë e pashmangshme. Do të jetë një botë më e ashpër, më e sinqertë, më pak sentimentale. Një botë ku multilateralizmi, i riformatuar tashmë, do të duhet të mbështetet mbi fuqi reale dhe ku normat pa forcë nga pas do tingëllojnë si lutje. Aleancat, do vlejnë vetëm aq sa gatishmëria për t’i mbrojtur.
Një botë më e vërtetë
Në një rend ku fuqia po riorganizohet, shtetet e vogla nuk mbijetojnë duke qëndruar të paqarta por duke përdorur aleancat si mburojë dhe kurrësesi si dekor diplomatik. Orientimi identitar euro-atlantik është jetësor për të garantuar integritetin e plotë të rajonit.
Për Ballkanin Perendimor dhe vendin tonë, kjo botë e re është debat gjeografik dhe aleancash strategjike, zero teori tanimë. Në politikën e jashtme, dallimi mes mediokritetit dhe shtetarisë është i thjeshtë: njëri sheh titullin e lajmeve, tjetri sheh hartën dhe punon për ekuilibrimin e saj duke garantuar avantazhe për vendin e vet.
Në këtë kontekst, Shqipëria shfaqet si përjashtim domethënës në rajon, për shkak të një elementi gjithnjë e më të rrallë në këtë epokë: stabiliteti dhe koherenca strategjike. Shqipëria është sot i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor me orientim të qartë, pa ekuivoke, euro-atlantik; anëtare e NATO-s, kontribuuese aktive në arkitekturën e sigurisë rajonale dhe pa dilema identitare në politikën e jashtme.
Në një botë ku, siç tha Carney, siguria po bëhet valuta e re globale, stabiliteti politik dhe koherenca strategjike janë kapital dhe në këtë kuptim, Ky rajon nuk e ka privilegjin e paqartësisë strategjike dhe lundrimit pragmatik. Kjo epokë sjell edhe një mundësi të rrallë. Në një botë të pasigurt, stabiliteti ka vlerë politike. Në një rajon me kujtesë konfliktesh, parashikueshmëria është kapital strategjik. Dhe kur Europa kërkon siguri në kufijtë e saj, Ballkani Perëndimor është prove, jo më periferi.
Paralajmërimi i Cvajgut mbetet i pandryshuar: qytetërimet nuk shemben vetëm nga dhuna, por nga harresa. Bota e së djeshmes u venit sepse njerëzit besuan se historia kishte pushuar së ekzistuar po kjo botë që po vjen tani na kërkon diçka më të vështirë. Të mos endemi më në nostalgjinë e asaj që ishte, por të kuptojmë shpejt dhe të marrim përgjegjësitë për atë që po vjen. Në botën e re, historia nuk do i shpërblejë ata që presin, por ata që pozicionohen.