Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi lexon projekt-deklaratën për krerët e UÇK-së: Mbështetje e plotë dhe kërkesë për shpalljen e pafajësisë në Hagë



Në Kuvendin e Shqipërisë është lexuar projekt-deklarata e përbashkët, e hartuar nga ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe deputeti Tritan Shehu, lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në projekt-deklaratë shprehet mbështetje e plotë ndaj luftës çlirimtare të Kosovës kundër regjimit të Slobodan Millosheviçit, duke e cilësuar atë si një lëvizje legjitime për liri dhe të drejta njerëzore.

“Kuvendi, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës së UÇK-së, thekson se kjo ushtri ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat e njeriut. Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb, që kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Kuvendi kundërshton pretencën e Prokurorisë Speciale për dënimin me 180 vite burg në total të katër ish-drejtuesve të UÇK-së dhe i drejton kërkesë Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të shpallin pafajësinë e tyre përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm.

Në tekst theksohet se lufta e UÇK-së u zhvillua në kushte kur regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik dhe akte gjenocidale ndaj popullatës civile të Kosovës, ndërsa ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konsiderohet si konfirmim i legjitimitetit të asaj lufte.

Deklarata shpreh solidaritet me popullin e Kosovës dhe familjet e ish-drejtuesve të UÇK-së, duke theksuar se kombi shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtje të së vërtetës historike dhe dinjitetit të luftës për liri. Gjithashtu, Kuvendi angazhohet për të ndërmarrë hapa diplomatikë dhe politikë në forumet ndërkombëtare për të garantuar që drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë dhe pa cënuar historinë e luftës çlirimtare.