
Një grup kriminal i dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike dhe armëve në disa qytete të vendit është goditur nga Policia e Shtetit, në kuadër të operacionit të koduar “Jug & Veri”. Si rezultat, janë arrestuar katër persona.
Operacioni u finalizua pas disa javësh hetime nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Në flagrancë u arrestuan shtetasit A. G., 31 vjeç, E. Q., 29 vjeç dhe F. P., 35 vjeç. Në vijim të veprimeve hetimore u ndalua edhe shtetasi M. M., 31 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar se ka vënë në dispozicion automjetin e tij për transportimin e lëndës narkotike.
Sipas Policisë, të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin dhe transportonin sasi të konsiderueshme kanabisi me qëllim shpërndarjen në disa qytete të vendit, nga veriu në jug, si dhe trafikimin jashtë territorit të Shqipërisë.
Ndërhyrja e policisë u bë në unazën e qytetit të Elbasanit, ku drejtuesi i njërit prej automjeteve, shtetasi A. G., ka kundërshtuar efektivët dhe gjatë tentativës për t’u larguar ka dëmtuar mjetin e shërbimit të Policisë.
Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues A. G. dhe pasagjer E. Q., u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri kallashnikov me 32 fishekë luftarakë, e cila dyshohet se do të trafikohej.
Ndërsa në automjetin tip “Volkswagen Golf”, me drejtues F. P., u sekuestruan 41 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, që sipas hetimeve po transportohej drejt Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë. Dyshohet se F. P. e kishte transportuar lëndën narkotike nga Shkodra drejt Elbasanit, në bashkëpunim me dy të arrestuarit e tjerë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 41 kg kanabis, 1 armë zjarri kallashnikov me municion luftarak, 2 automjete dhe 2 telefona celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.