Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi mblidhet në seancë plenare, në rend interpelanca me Kumbaron dhe votime për disa projektligje



Kuvendi i Shqipërisë mban ditën e sotme seancën e radhës plenare, ku në rendin e ditës parashikohen interpelanca, seancë pyetje–përgjigje dhe votimi i disa projektligjeve e projektvendimeve.

Sipas rendit të ditës, do të zhvillohen dy interpelanca me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, të kërkuara nga deputetët Erald Kapri dhe Erisa Xhixho. Po ashtu, do të mbahet një seancë pyetje–përgjigje me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, e kërkuar nga deputeti Erion Braçe.

Në seancën e sotme pritet të kalojnë për votim disa projektligje, mes tyre:

  • Projektligji “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”;

  • Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012 ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’”;

  • Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014 ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’”;

  • Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 27/2018 ‘Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë’”.

Gjithashtu, do të shqyrtohet projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit me kohë jo të plotë pune, që rekrutohet për përpunimin e materialeve zgjedhore, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, si dhe projektvendimi “Për disa shtesa në vendimin nr. 65/2025 ‘Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit’”.

Seanca do të nisë me miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të mëparshme dhe njoftimet përkatëse, ndërsa në fund janë parashikuar diskutime për çështje jashtë rendit të ditës, ku çdo deputet do të ketë deri në 5 minuta kohë, ose 8 minuta nëse flet në emër të grupit parlamentar.