Vendosni fjalën kyçe....

Lëvizja Bashkë nis fushatën: Platforma jonë për daljen nga kriza e legjitimitetit të qeverisë


Lëvizja Bashkë njofton nisjen e një fushate të ndërthurur protestash, bashkëbisedimi me qytetarët dhe nismash ligjore.

Në njoftimin në Facebook, lëvizja thekson se rrëzimi i qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme do ndodhin nëse qeverisë i pamundësohet të ndryshojë ligjet që cenojnë fushëveprimin e institucioneve të drejtësisë.

“Në rrugë dhe në parlament

Lëvizja BASHKË e sheh zgjidhjen e krizës përmes rrëzimit të qeverisë dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, duke i pamundësuar kësisoj partisë në pushtet të mbrojë kryeministrin dhe ministrat e korruptuar përmes ndryshimeve ligjore që cenojnë fushëveprimin e institucioneve të drejtësisë.

Që këto të mos jenë thjesht qëllime deklarative, kërkohet që krahas protestave, qytetarët të vetëdijesohen për fuqinë e tyre dhe një parti politike si Lëvizja BASHKË t’i njohë ata me idetë e saj për fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe ndërtimin e bazave të një demokracie të vërtetë politike e sociale.

Të premten Lëvizja BASHKË do të nisë një fushatë të gjerë ku protestat periodike do të ndërthuren me një varg nismash ligjore dhe bashkëbisedimesh me qytetarët që do të nxjerrin në pah vizionin tonë për luftën ndaj korrupsionit dhe kapjes së shtetit, hetimin e abuzimeve më të mëdha me interesin publik, demokratizimin e shtetit dhe sigurimin e të drejtave ekonomike.

Ju ftojmë t’i bashkoheni prezantimit dhe diskutimit të platformës sonë për daljen nga kriza e legjitimitetit të qeverisjes të premten në orën 18:00. Te Bunkeri.”