
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po zbut përpjekjet për të zgjeruar kontrollin e saj mbi ndarjen e inteligjencës në Bashkimin Evropian, pas një përplasjeje me shefen e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, thanë për POLITICO katër zyrtarë me dijeni mbi diskutimet.
Në nëntor, Komisioni Evropian njoftoi synimin për krijimin e një qelize të brendshme inteligjence që do të grumbullonte informacione nga e gjithë Evropa dhe do të mbikëqyrej drejtpërdrejt nga von der Leyen. Nisma u paraqit si pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur BE-në nga sulmet kibernetike dhe aktet e sabotazhit të lidhura me Rusinë. Megjithatë, plani hasi kundërshtime të forta si nga kryeqytetet evropiane, ashtu edhe nga shërbimi diplomatik i BE-së, i cili tashmë ka strukturën e vet për ndarjen e inteligjencës në nivel evropian.
Sipas zyrtarëve — dy prej të cilëve nga institucionet e BE-së dhe dy diplomatë — Komisioni tani po ul ambicien e këtij projekti. Qeliza e propozuar pritet të shndërrohet më tepër në një njësi sigurie, ndërsa pjesa kryesore e ndarjes së inteligjencës do t’i mbetet Qendrës së Inteligjencës dhe Situatës (INTCEN), që funksionon në kuadër të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS).
Ky riorientim i planit forcon pozicionin e Kaja Kallas, e cila ruan kështu një rol qendror mbi çështjet e inteligjencës. Diplomatja estoneze, në krye të EEAS, ka pasur disa përplasje me von der Leyen gjatë vitit të kaluar, përfshirë edhe një rast të debatueshëm rekrutimi të Martin Selmayr, ish-shefit të kabinetit të Jean-Claude Juncker, për një post të lartë. Lëvizja shkaktoi shqetësim në Komision, ku von der Leyen ka synuar të përqendrojë më shumë pushtet nën ekzekutivin evropian.
BE-ja po përpiqet të forcojë ndarjen e informacionit mes shërbimeve kombëtare të inteligjencës, në një kohë kur bashkëpunimi me Uashingtonin në këtë fushë po has vështirësi dhe ndërsa Evropa përballet me kërcënime hibride nga Rusia, që variojnë nga dezinformimi te sulmet kibernetike dhe sabotazhet.
Zyrtarë të inteligjencës dhe sigurisë do të mblidhen më vonë këtë javë në Gjermani për Konferencën e Sigurisë së Mynihut, ku marrëdhëniet transatlantike dhe lufta në kufijtë lindorë të Evropës pritet të jenë në fokus.
Megjithëse BE-ja ka bërë përpjekje të përsëritura për të rritur bashkëpunimin në fushën e inteligjencës, kompetencat për sigurinë kombëtare mbeten në duart e qeverive kombëtare, të cilat tregohen të kujdesshme për t’i dhënë Brukselit kontroll mbi informacion të ndjeshëm dhe të klasifikuar.
INTCEN ka fituar më shumë besim në disa kryeqytete gjatë vitit të fundit. Në janar, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Friedrich Merz mbështetën këtë strukturë, duke theksuar se “qeliza e fuzionit hibrid” brenda INTCEN duhet të forcohet për t’u përballur më mirë me kërcënimet hibride.
Kjo drejtori, që merret me inteligjencën civile dhe raporton drejtpërdrejt te Kallas, ka informuar rregullisht si Kolegjin e Komisionerëve, ashtu edhe Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së në muajt e fundit.
Edhe pse von der Leyen nuk paraqiti kurrë zyrtarisht një plan të detajuar për një “qelizë të dedikuar” apo numrin e stafit, Komisioni kishte deklaruar se ajo do të luante një rol kyç në përgatitjen e Kolegjit të Sigurisë.
“Nuk ka kuptim të krijohet një qelizë tjetër,” tha një diplomat i lartë i BE-së, duke folur në kushte anonimiteti. “Edhe në nivelin e INTCEN, ndarja e inteligjencës nuk është ende në nivelin e duhur. Është përmirësuar, por nuk ka nevojë për një strukturë paralele.”
Në një reagim për POLITICO, një zyrtar i Komisionit Evropian tha se, në një “mjedis gjeopolitik dhe gjeoekonomik gjithnjë e më sfidues”, INTCEN po shqyrton mënyra për të forcuar kapacitetet e tij të sigurisë dhe inteligjencës. Ai shtoi se qeliza e re do të plotësonte punën e Drejtorisë së Sigurisë në Komision dhe do të bashkëpunonte ngushtë me shërbimet përkatëse të EEAS.
Një tjetër diplomat i BE-së shprehu mbështetje për planin fillestar të Komisionit, duke argumentuar se një qelizë e tillë do të ndihmonte në përmirësimin e vendimmarrjes, pasi do t’i lejonte një grupi të vogël zyrtarësh të interpretonin dhe përdornin inteligjencën, një proces shpesh i ngadalshëm mes 27 shteteve anëtare.
Vetë Kaja Kallas ishte shprehur kritike ndaj idesë që në nëntor: “Si ish-kryeministre, e di që të gjitha shtetet anëtare përballen me kufizime buxhetore dhe kërkesa për të shtuar struktura të reja mbi ato ekzistuese nuk është një ide e mençur,” kishte deklaruar ajo në Parlamentin Evropian, shkruan Politico.