Vendosni fjalën kyçe....

Osmani thërret seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës për nesër në orën 12:00



Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur për nesër (të mërkurën), në orën 12:00, seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Në njoftimin për media nga Zyra e Presidentes bëhet e ditur se vendimi është marrë pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve të reja.

“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, thuhet në njoftim.

Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, çka i hapi rrugë thirrjes së seancës konstituive.

Sipas përbërjes së re të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 57 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 deputetë, Lista Serbe 9 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë 6 ulëse.

Nga partitë e komuniteteve, KDTP do të ketë 2 deputetë, ndërsa nga një deputet do të kenë: Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Koalicioni Vakat, NDS, IRDK, SDU, PLE, PSA, JGP dhe LPRK.

Seanca konstituive shënon hapin e parë drejt formimit të institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare.