Vendosni fjalën kyçe....

Berisha thërret qytetarët në “kryengritjen e fitores”: T’i tregojmë Europës se nuk mposhtemi nga një grup hajdutësh



Partia Demokratike mban sot në orën 17:00 protestën e radhës kombëtare para godinës së Kryeministrisë në Tiranë. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka shpërndarë në rrjetet sociale pamje nga foltoret e organizuara dhe ka bërë thirrje që qytetarët të bashkohen në atë që e quajti “kryengritja e fitores, kryengritja e të ardhmes, kryengritja për Europën”.

“Integrimi është synim kryesor, po i bazuar në mëritë dhe jo në suksese imagjinare. Shqipëria sot është vend i dhunimit masiv të të drejtave të njeriut. Nesër është dita e qytetarëve, i ftoj nga mbarë Shqipëria, nga Tiranë në kryengritjen paqësore t’i faktojmë Europës dhe botës se ne nuk mposhtemi kurrë nga një grusht hajdutësh”, shkruan Berisha.

Në konferencën për shtyp ditën e djeshme nga selia blu, Berisha theksoi se tubimi i sotëm synon të dërgojë mesazh ndërkombëtar se qytetarët nuk do të pranojnë korrupsionin dhe keqmenaxhimin e vendit, duke i bërë thirrje Europës dhe botës që të vëzhgojnë pjesëmarrjen dhe qëndrimin e qytetarëve shqiptarë.

Policia e Tiranës ka paralajmëruar se për shkak të protestës do të ketë bllokime rrugësh dhe masat e sigurisë janë rritur për të garantuar rendin publik gjatë zhvillimit të tubimit.