Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati socialist fiton bindshëm zgjedhjet presidenciale në Portugali


Portugalia ka zgjedhur një president socialist pas dy dekadash, me Antonio José Seguro që siguroi një fitore bindëse në balotazhin e së dielës, duke mposhtur kandidatin e djathtë radikal dhe kundër sistemit, André Ventura. Mandati i ri pesëvjeçar i Seguros vjen pas dy mandateve të konservatorit Marcelo Rebelo de Sousa.

I konsideruar si një socialist i moderuar, Seguro përfitoi mbështetjen e figurave të njohura konservatore pas raundit të parë, mes shqetësimeve të gjera për prirjet populiste dhe autoritare të rivalit të tij. Me këtë fitore, 63-vjeçari bëhet presidenti i parë socialist i Portugalisë në 20 vjet.

“Mesazhi që dha sot populli portugez, përkushtimi i tyre ndaj lirisë, demokracisë dhe të ardhmes së vendit, më bën thellësisht të prekur dhe krenar për kombin tonë,” deklaroi Seguro pas shpalljes së rezultateve.

Pavarësisht motit të keq dhe një serie stuhish që goditën vendin ditët e fundit, pjesëmarrja në votime mbeti pothuajse në të njëjtin nivel me raundin e parë të 18 janarit. Vetëm disa bashki të vogla u detyruan ta shtynin procesin e votimit për shkak të përmbytjeve.

Me rreth 95% të votave të numëruara, Seguro kryesonte me 66% të mbështetjes, kundrejt 34% të Venturës. Edhe pse i mundur, ky rezultat përfaqëson një përmirësim të ndjeshëm për Venturën krahasuar me 22.8% që partia e tij kundër emigracionit, Chega, mori në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar. Numërimi i votave në qytetet e mëdha si Lisbona dhe Porto u la për në fund, ndërsa sondazhet në dalje e vendosnin Seguron mes 67% dhe 73%.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, Chega u rendit si forca e dytë më e madhe politike, duke lënë pas socialistët dhe duke u pozicionuar pas aleancës qeverisëse të qendrës së djathtë, e cila fitoi 31.2% të votave.

Rritja e ndikimit të Venturës

Megjithëse humbi presidencën, André Ventura, 43 vjeç, ish-komentator sportiv në televizion, doli nga gara me një bazë mbështetjeje më të gjerë, duke reflektuar forcimin e së djathtës ekstreme jo vetëm në Portugali, por edhe në pjesë të tjera të Evropës.

“I gjithë spektri politik, si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, u bashkua kundër meje,” u shpreh Ventura para gazetarëve në Lisbonë.

“Megjithatë, besoj se që nga sot udhëheqja e së djathtës është përcaktuar dhe unë jam gati ta drejtoj atë hapësirë politike.”

Edhe pse posti i presidentit në Portugali është kryesisht ceremonial, ai përfshin kompetenca të rëndësishme, si shpërndarja e parlamentit dhe bllokimi i ligjeve në rrethana të caktuara.

Analistët vlerësojnë se refuzimi i gjerë i Venturës nga rreth dy të tretat e elektoratit, si dhe mbështetja ndërpartiake për Seguron, sugjerojnë se edhe nëse Chega do të fitonte zgjedhjet e ardhshme parlamentare, një aleancë centriste mund ta pengonte marrjen e pushtetit.

Mesazhi i presidentit të ri

Gjatë fushatës, Seguro u paraqit si përfaqësues i një të majte “moderne dhe të moderuar”, e aftë të ndërhyjë për të shmangur krizat politike dhe për të garantuar stabilitet institucional.

Ai ka paralajmëruar se nuk do të dekretojë reformat e propozuara të tregut të punës nga qeveria e pakicës, nëse ato nuk gjejnë më parë konsensusin e sindikatave, të cilat i konsiderojnë ndryshimet si të dëmshme për të drejtat e punëtorëve, shkruan Reuters.

Nga ana tjetër, qeveria këmbëngul se rishikimi i kodit të punës është i domosdoshëm për të rritur produktivitetin dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik të vendit.