
Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, Ina Zhupa, ka ngritur shqetësime të forta gjatë mbledhjes së komisionit lidhur me, sipas saj, bllokimin nga Kuvendi të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Zhupa deklaroi se Kuvendi, me urdhër politik, është shndërruar në një mburojë për anëtarët e qeverisë, duke penguar proceset ligjore dhe hetimet nga drejtësia. Ajo theksoi se mosfutja në rend dite e kërkesës së SPAK përbën shkelje të rregullores dhe Kushtetutës.
Sipas saj, Këshilli për Mandatet duhej të ishte mbledhur pa asnjë vonesë, ndërsa shtyrjet po bëhen në pritje të udhëzimeve politike nga kryeministri Edi Rama. Zhupa akuzoi mazhorancën se po pengon drejtësinë, ndonëse ka deklaruar publikisht se nuk do ta ndalojë atë.
Në fjalën e saj, Zhupa përmendi edhe deklaratat e mëparshme të drejtuesve të grupit parlamentar të PS-së, sipas të cilave çdo kërkesë për heqje imuniteti do të miratohej pa pengesa. Ajo theksoi se në rastin e Ballukut po veprohet ndryshe për shkak të, sipas saj, pasojave politike që mund të sjellë ky proces për mazhorancën qeverisëse.