Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti i rëndë që ndodhi dje në Karpenisi, pranë Manastirit të Shenjtë të Panagia Prousiotissa në Greqi. Një automjet, i drejtuar nga një burrë 59-vjeçar, doli nga rruga Prousos-Tornos dhe ra nga një shkëmb rreth 300 metra i thellë, duke përfunduar mbi një lumë.
Menjëherë pas ngjarjes, u organizua një operacion i madh shpëtimi me pjesëmarrjen e Zjarrfikësve, Policisë dhe Shërbimit të Urgjencës Mjekësore (EKAB). Sipas mediave greke, zjarrfikësit gjetën trupin e burrit jashtë automjetit, në gjendje shumë të rëndë, disa metra larg mjetit. Trupi kishte pësuar dëmtime të mëdha për shkak të rënies nga lartësia, përfshirë shkëputjen e kokës.
Zëdhënësja e Policisë Helenike, Constantia Dimoglidou, bëri me dije se po hetohen të gjitha mundësitë, duke përfshirë aksidentin apo një ngjarje me elementë penalë. Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të japë konfirmimin për shkakun e vdekjes.
Komandanti i Zjarrfikësve të Evrytania-s, Yiannis Arapis, sqaroi se operacioni ishte jashtëzakonisht i vështirë për shkak të terrenit malor dhe rrezikut të rrëshqitjeve. Ai bëri me dije se kërkimet vijojnë edhe sot, me përdorimin e dronëve dhe kamerave termike, për të verifikuar nëse në automjet ndodhej ndonjë person tjetër. Hetimet paraprake po kryhen nga Policia Greke (ELAS), ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri në zonë.
