Vendosni fjalën kyçe....

Epstein “ha një tjetër kokë”, dorëhiqet ambasadorja e Norvegjisë në Jordani


Screenshot

Ministria e Jashtme e Norvegjisë njoftoi të dielën se ambasadorja e vendit në Jordani, Mona Juul, do të japë dorëheqjen pas shqyrtimit të kontakteve të saj me abuzuesin e dënuar seksual Jeffrey Epstein.

Ministri i Jashtëm Espen Barth Eide e cilësoi vendimin si “të drejtë dhe të nevojshëm”, duke shtuar se kontaktet e Juul me Epstein kanë treguar një dështim serioz në gjykim dhe kanë minuar besimin që kërkohet për këtë post diplomatik.

Juul ishte liruar nga detyrat javën e kaluar ndërsa ministria shqyrtonte natyrën dhe shkallën e ndërveprimeve të saj me Epstein. Me dorëheqjen e saj të parakohshme, ajo nuk do të kthehet më në rolin e ambasadores, ndërsa një zëvendësambasador do të udhëheqë ambasadën derisa të emërohet pasuesi.

Ministria ka nisur gjithashtu një rishikim zyrtar për të kuptuar se si këto kontakte mund të kenë ndikuar në detyrat diplomatike të Juul. “Është e rëndësishme të kuptohet shtrirja e kontaktit që ajo ka pasur me Epstein si punonjëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme,” tha Eide, duke shtuar se bisedimet me Juul do të vazhdojnë për të verifikuar nëse shpjegimet e saj përputhen me informacionet e reja.

Gjithashtu, ministria po shqyrton marrëdhëniet dhe grantet e Juul me Institutin Ndërkombëtar të Paqes gjatë periudhës kur Terje Rød-Larsen drejtonte organizatën, duke përmendur informacione “shumë të gjerë dhe shqetësuese” lidhur me lidhjet e tij me Epstein.

Çështja do të vlerësohet sipas Aktit të Punonjësve të Shtetit, dhe gjetjet mund të përcaktojnë pasoja të mëtejshme për karrierën e Juul në shërbimin publik, shkruan AA.