
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se procesi i integrimit europian të Shqipërisë rrezikon seriozisht të zhbëhet, ndërsa në Bruksel, sipas tij, po zhvillohen diskutime të rënda për vendin tonë.
Gjatë një takimi me demokratët në Kamëz, Berisha tha se në ditët e fundit janë shqyrtuar skenarë ndëshkues për Shqipërinë, përfshirë edhe kthimin pas në marrëdhëniet me Bashkimin Europian.
“Këto tre-katër ditë në Bruksel ka pasur mbledhje me diskutime shumë të rënda për ne, me variante nga më ndëshkueset”, u shpreh ai.
Sipas Berishës, një nga skenarët më ekstremë përfshin zhbërjen e të gjithë procesit të integrimit. “Variant dhe që të zhbëhet i gjithë procesi i integrimit të Shqipërisë. Do të thotë të ktheheshim tek marrëveshja tregtare e vitit ’92”, deklaroi kreu i opozitës.
Ai theksoi se në këto diskutime është përmendur edhe mundësia e anulimit të arritjeve kryesore të Shqipërisë në raport me BE-në.
“T’u bihej vizë Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, vizë heqjes së vizave, vizë statusit të kandidatit, hapjes së negociatave”, tha Berisha.
Lideri demokrat e lidhi këtë situatë me qeverisjen aktuale, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe përpjekje për të bllokuar drejtësinë.
“Dhe pse? Sepse Edi Rama ka vjedhur dhe kërkon me çdo kusht të bllokojë drejtësinë, kërkon me çdo kusht të mos japë llogari para ligjit”, u shpreh ai.
Berisha e cilësoi situatën aktuale si alarmante, por theksoi se opozita është e vendosur për përballje politike.
“Sot ne jemi në këmbë, jemi në një mision më të rëndësishmin e jetës sonë, të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo diktaturë, nga ky regjim që bazohet në vjedhje, drogë dhe përçmim të qytetarëve”, deklaroi ai.
Në vijim, ai shtoi se çdo qeveri që shkel votën e qytetarëve humbet legjitimitetin për të qëndruar në pushtet.
“Çdo qeveri që vjedh qytetarët humbet çdo legjitimitet dhe duhet të largohet një minutë e më parë”, theksoi Berisha.
Në përfundim, kreu i PD-së e përshkroi përballjen politike si një betejë mes opozitës dhe asaj që ai e cilësoi si një strukturë kriminale në pushtet.
“Përballë kemi një organizatë kriminale që vjedh nga mëngjesi në darkë qytetarët shqiptarë”, u shpreh ai.