
Bisedimet ndërmjetësuese mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të zhvilluara në Muskat të Omanit, kanë përfunduar me tone të kujdesshme optimiste, me palën iraniane që i cilësoi ato si “një fillim të mirë”, raporton ynetGlobal.
Ministri i Jashtëm i Iranit dhe negociatori kryesor, Abbas Araghchi, deklaroi se palët kanë sqaruar qëndrimet e tyre dhe kanë rënë dakord të vijojnë dialogun në një raund të ri javën e ardhshme. Edhe Presidenti amerikan Donald Trump komentoi për herë të parë negociatat, duke thënë se “Irani duket se dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje”, por theksoi se Teheranit nuk do t’i lejohet të sigurojë armë bërthamore.
Megjithatë, deklaratat e Trump shkaktuan reagime të ashpra në Iran. Zëdhënësi i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme në Parlamentin iranian, Ebrahim Rezaei, e quajti Trumpin “gënjeshtar”, duke theksuar se Irani nuk do të heqë dorë nga “vijat e kuqe”, përfshirë të drejtën për pasurimin e uraniumit në territorin e vet.
Sipas mediave shtetërore iraniane, bisedimet u përqendruan vetëm te çështja bërthamore dhe nuk përfshinë programin raketor, rrjetin e aleatëve rajonalë apo çështjet e brendshme të Iranit. Nuk pati takime direkte mes delegacioneve amerikane dhe iraniane; negociatat u zhvilluan përmes diplomacisë “shuttle”, me ndërmjetësimin e ministrit të Jashtëm të Omanit, Badr Albusaidi.
Ndërkohë, në një zhvillim që mund të komplikojë procesin diplomatik, Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi sanksione të reja ndaj 15 entiteteve iraniane dhe 14 anijeve të ashtuquajturës “flotë hije”, të akuzuara për tregti të paligjshme të naftës. Vendimi erdhi vetëm disa orë pas raportimeve për “bisedime pozitive” në Muskat, ndërsa Irani ka theksuar se kërkesa kryesore në negociata mbetet heqja e sanksioneve ekonomike.
Ministri i Jashtëm i Omanit vlerësoi bisedimet si “serioze dhe të dobishme” dhe njoftoi se palët synojnë të rikthehen në tryezë pasi qëndrimet të shqyrtohen në Teheran dhe Uashington. Oman ka luajtur edhe më parë rol kyç në ndërmjetësimin mes dy vendeve, në një kontekst tensionesh të shtuara rajonale dhe kërcënimesh të mundshme ushtarake.