
Ndonëse pjesë e aksit kombëtar Skuraj–Peshkopi, segmenti rrugor Shupenzë – Ura e Topojanit – Maqellarë ndodhet në gjendje të rëndë infrastrukturore. Me gropa të thella dhe çarje përgjatë gjithë gjatësisë, kjo rrugë është tërësisht e amortizuar dhe përbën rrezik serioz për qarkullimin.
Ky segment është e vetmja lidhje e zonës me Rrugën e Arbrit, por pavarësisht rëndësisë strategjike, nuk po merren masa për mirëmbajtjen dhe rikonstruksionin e saj. Kompania “Alko-Impex”, me administrator Arbër Abazin, e cila ka përgjegjësinë për këtë segment, nuk ka ndërhyrë deri më tani.
Drejtuesit e mjeteve shprehen të indinjuar, duke theksuar se taksat që paguajnë nuk po kthehen në investime konkrete për zonën. Sipas tyre, gropat dhe dëmtimet e shumta janë kthyer në burim të vazhdueshëm aksidentesh dhe dëmtimesh të automjeteve.
Segmenti Shupenzë–Maqellarë përfshihet në kontratën B të mirëmbajtjes së rrugëve për Rajonin Qendër–Verilindje, kontratë kjo me një fond prej 14 milionë eurosh, çka ngre pikëpyetje mbi zbatimin dhe efektivitetin e kësaj marrëveshjeje.