Vendosni fjalën kyçe....

Franca renditet e fundit në indeksin global të përdorimit të AI në sektorin publik


Franca renditet e fundit në një indeks të ri global për adoptimin e inteligjencës artificiale (AI) në sektorin publik, pavarësisht investimeve të mëdha shtetërore në këtë teknologji. Sipas studimit Public Sector AI Adoption Index 2026, rreth 45% e nëpunësve publikë francezë deklarojnë se nuk e kanë përdorur kurrë AI në punë, ndërsa 74% mendojnë se ajo nuk mund të kryejë asnjë pjesë të detyrave të tyre, përcjell Euronews.

Studimi është publikuar nga Public First për Center for Data Innovation, me sponsorizim nga Google, dhe bazohet në një anketë me 3,335 nëpunës publikë në 10 vende, përfshirë Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, Japoninë, Indinë dhe Singaporin.

Sipas raportit, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar po hasin vështirësi në shndërrimin e strategjive ambicioze për AI në mjete praktike për administratën publike. Vetëm 27% e punonjësve publikë në Francë raportojnë investime institucionale në mjete AI, ndërsa shumë prej tyre shprehen se udhëzimet nga drejtuesit janë të paqarta.

Raporti thekson se mungesa e përvojës praktike ka ndikuar edhe në qëndrimet skeptike ndaj teknologjisë, duke bërë që shumë nëpunës të mos presin përmirësim të efikasitetit nga përdorimi i AI. Ndërkohë, paralajmërohet se rreth 70% e punonjësve që përdorin aktivisht AI në institucione me udhëzime të kufizuara, e bëjnë këtë në mënyrë të paautorizuar.

Në nivel evropian, adoptimi i AI mbetet i kujdesshëm dhe i kufizuar kryesisht në projekte pilot dhe specialistë. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar shënon përparim të pjesshëm, vende si Singapori, Arabia Saudite dhe India kryesojnë indeksin, falë mbështetjes së fortë nga lidershipi dhe përdorimit të gjerë të AI në punën e përditshme të qeverisë.

Autorët e studimit theksojnë se përkthimi i strategjive të AI në përmirësime konkrete të shërbimeve publike varet nga udhëzimi i qartë, trajnimi dhe akses i barabartë në mjete teknologjike për administratën.