
Shqipëria dhe Franca do të nënshkruajnë së shpejti një marrëveshje për bashkëprodhime kinematografike, njoftoi ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Marrëveshja lehtëson nga ana teknike, prodhuese dhe administrative bashkëpunimin mes dy vendeve, ndërsa do të ngrihet edhe një komision i përbashkët për të monitoruar zbatimin.
“Marrëveshja mbi bashkëprodhimin kinematografik ndërmjet Qeverisë së Republikës Franceze dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë synon nxitjen dhe lehtësimin e bashkëprodhimeve kinematografike ndërmjet subjekteve prodhuese të të dy vendeve.
Kjo marrëveshje, përcakton kushtet e pranimit të veprave në status bashkëprodhimi, përqindjet e kontributit financiar, si dhe kërkesat për pjesëmarrje artistike dhe teknike.
Veprat e pranuara konsiderohen vepra kombëtare në të dy vendet dhe përfitojnë të njëjtat avantazhe ligjore dhe financiare si prodhimet përkatëse kombëtare.
Marrëveshja, e cila do të nënshkruhet së shpejti, parashikon procedura miratimi, lehtësi administrative, rregulla për prezantimin e bashkëprodhimit dhe krijimin e një komisioni të përbashkët për monitorimin e zbatimit të saj”, thuhet në postimin e ndarë në rrjetet sociale.