Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i Toyota-s Koji Sato jep dorëheqjen pas tre vitesh në krye të kompanisë


Shefi ekzekutiv i Toyota Motor, Koji Sato, do të largohet nga posti pas vetëm tre vitesh në krye të prodhuesit më të madh të automjeteve në botë dhe do të zëvendësohet nga drejtori financiar i kompanisë, Kenta Kon, njoftoi Toyota të premten.

Në kuadër të riorganizimit, Sato do të marrë rolin e nënkryetarit dhe shefit të industrisë, një pozicion nga i cili pritet të fokusohet në zhvillimet më të gjera të sektorit.

Ndryshimi vjen në një moment kur Toyota po përballet me vëmendje të shtuar për planin e saj për të blerë filialin Toyota Industries, një marrëveshje që është kritikuar nga investitorët minoritarë për mungesë transparence dhe për çmim të nënvlerësuar, përcjell Reuters.

Lëvizja në drejtim nuk ishte e pritshme gjerësisht. Toyota e bëri publike së bashku me publikimin e rezultateve financiare të tremujorit të tretë, ku kompania rriti parashikimin për fitimin vjetor me gati 12%, e ndihmuar nga dobësimi i jenit dhe masat për uljen e kostove.

Sipas Toyota-s, Kon në rolin e ri do të përqendrohet në menaxhimin e brendshëm të kompanisë, ndërsa Sato do të fokusohet në çështjet e industrisë në tërësi.

Qëllimi i këtyre ndryshimeve është përshpejtimi i vendimmarrjes në një kohë kur rivalët kinezë po tronditin industrinë e automjeteve me ritme të shpejta.

Analistë të sektorit vlerësojnë se ky ndryshim pasqyron nevojën e Toyota-s për më shumë ekspertizë financiare në krye, në një periudhë kur kompania po merr gjithnjë e më shumë vendime strategjike edhe për biznese jashtë automobilave. Kon konsiderohet gjithashtu si një nga figurat kyçe pas planit për blerjen e Toyota Industries.

Vetë Kon deklaroi në konferencë për shtyp se ishte i befasuar kur u kontaktua për herë të parë për këtë rol në mesin e muajit të kaluar.

Aktualisht, ai është edhe përgjegjës për financat e filialit teknologjik të mobilitetit, Woven by Toyota, një eksperiencë që pritet ta ndihmojë kompaninë teksa përpiqet të mbyllë hendekun në fushën e softuerit me rivalët kinezë.

Sato mori drejtimin e Toyota-s në prill 2023, duke pasuar Akio Toyoda, nipin e themeluesit të kompanisë, në një kohë kur Toyota kritikohej për qasjen e ngadaltë ndaj automjeteve elektrike me bateri.

Megjithatë, strategjia e kompanisë për të investuar fort në hibride benzinë-elektrike rezultoi e suksesshme, duke mbështetur vite me shitje rekord dhe duke i mundësuar Toyota-s të ruajë titullin e prodhuesit më të madh në botë edhe vitin e kaluar.

Gjatë mandatit të Sato-s, aksionet e Toyota-s u rritën me 111%, përfshirë dividentët, duke e tejkaluar rritjen e indeksit Nikkei në të njëjtën periudhë.

Megjithatë, kompania ka humbur pjesë tregu në disa rajone, si Azia Juglindore, përballë rivalëve më fleksibël kinezë, si BYD, dhe është përballur me kritika të vazhdueshme për çështje qeverisjeje, veçanërisht lidhur me marrëveshjen për Toyota Industries.