
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar ndaj debatit publik mbi rritjen e pagave të magjistratëve, duke paralajmëruar se çdo retorikë që synon të kthejë opinionin publik kundër sistemit të drejtësisë dëmton parimet e shtetit të së drejtës.
Në një deklaratë zyrtare, Shoqata thekson se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi është një parim themelor në një shtet demokratik dhe duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme përpara marrjes së vendimeve.
Sipas Shoqatës, gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve lidhur me pagat e magjistratëve duhet të zhvillohet dhe të përfundojë pa asnjë ndikim nga presionet e jashtme apo instrumentalizimi i opinionit publik. Ajo vlerëson se debatet për çështjet e drejtësisë duhet të jenë të përgjegjshme, të balancuara dhe në respekt të rolit kushtetues të magjistratëve.
Shoqata e Prokurorëve i bashkohet gjithashtu qëndrimeve të shprehura nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se çdo ndryshim ligjor që sjell regres në standardet e mëparshme apo ulje të pagave të magjistratëve përbën cenim të garancive kushtetuese.
Në përfundim, Shoqata shpreh besimin e saj të plotë në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces dhe mbështet çdo përpjekje institucionale apo civile që synon forcimin e rendit kushtetues, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjen e standardeve demokratike në vend.